E Diel, 1 Nëntor 2026

Nënshkruhet marrëveshja me japonezët

Urgjencat, të gjitha në rehabilitim “emergjent”
Rreth 15 urgjenca do të nisin rehabilitimin. Dje u nënshkrua marrëveshja grant ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, për projektin “Përmirësimi i pajisjeve mjekësore të qendrave rajonale të urgjencës”.
Për palën shqiptare, marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ndërsa për palën japoneze, nga përfaqësuesi rezident i zyrës ballkanike të JICA, Saturo Kurosaëa. “Kemi konkretizuar një punë të filluar prej kohësh. Jemi duke vënë një tullë në themelin e strategjisë së shëndetit publik. Projekti do të shtrihet në 14 rrethe të vendit dhe do të implementohet në harkun kohor të 12 muajve”, theksoi ministri.
Financimi grant kap shifrën 718 milionë jen japonez, 5.5 milionë euro, ndërsa pala shqiptare do të mbulojë kostot lokale të këtij projekti. Ky grant është i treti i akorduar nga qeveria japoneze për sektorin e shëndetësisë dhe realizohet pesë vjet pas lëvrimit të grantit të fundit “Për përmirësimin e pajisjeve mjekësore në pesë spitalet e jugut”, në vitin 2004.
Marrëveshja përputhet plotësisht me strategjinë e sistemit shëndetësor dhe atë të urgjencës në veçanti dhe ka për qëllim përmirësimin e cilësisë së ofrimit të shërbimit të urgjencës për popullatën.Nga ky projekt përfitojnë 14 qendra urgjence në spitalet rajonale të vendit e konkretisht në qytetet Lezhë, Kukës, Dibër, Durrës, Elbasan, Fier, Berat, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, spitalet e qyteteve Lushnjë e Sarandë, si edhe qendrat e urgjencës në shërbimin e pediatrisë në QSUT dhe urgjencën e Tiranës.
Në këto qendra do të instalohen afërsisht 47 lloje aparaturash të reja, në sasi të ndryshme, ku përfshihen autoambulanca me pajisje të avancuara për shpëtimin e jetës, sete diagnostikimi deri edhe dy skanerë, si dhe pajisje të tjera që nevojiten për dhënien e ndihmës në rast urgjence.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›