Nesër protesta në Kala kundër kishës

Lëvizja qytetare “ZGJOHU!” nesër do të mbajë protest në shenjë kundërshtimi kundër ndërtimit të kishës ortodokse në lokalitetin e Kalasë së Shkupit.
Drejtuesit e kësaj lëvizje kanë ftuar qytetarët që ti bashkangjiten kësaj revolte kundër “falsifikimit të historisë dhe përvetësimit të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore shqiptare nëpërmjet ndërtimit të kishës ortodokse në Kala dhe përpjekjeve për të shkatërruar shtëpinë e lindjes së nobelistes shqiptare Goxhe Bojaxhiu”.
Në përkrahje të lëvizjes “ZGJOHU!” janë edhe Shoqata e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni si dhe 18 shoqata të tjera joqeveritare.
Reagimet për ndërtimin e kishës janë shtuar kur punëtorë të një kompanie ndërtimore u hetuan të martën në mbrëmje duke kryer punimet në objektin e kishës, edhe pse ishte arritur një marrëveshje qeveritare për ndërprerjen e punimeve dhe gjetjen e një zgjidhjeje që objekti në ndërtim të tërhiqet ose të shëndërrohet në objekt tjetër.