Ngrihet flamuri shqiptar në selinë e NATO, në Bruksel
Pak ditë pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, kryeministri Berisha ka qenë i pranishëm në Bruksel, në zyrat qendrore të NATO, ku u zhvillua ceremonia e ngritjes së flamurit shqiptar dhe atij kroat, përkrah 26 flamujve të vendeve të tjera anëtare. Kryeministri Berisha e cilësoi ngritjen e flamurit shqiptar në NATO, si momentin historik dhe më dinjitoz për shqiptarët, që nga koha e Skënderbeut. Gjatë fjalës së tij të mbajtur përpara sekretarit të përgjithshëm Scheffer dhe anëtarëve të kësaj Aleance, kryeministri Berisha ka shprehu mirënjohjen më të thellë për sekretarin e përgjithshëm të NATO- s, për stafin e tij ndërkombëtar si dhe për Këshillin e Atlantikut të NATO-s.
Duke veçuar reformat për zhvillimin e vendit dhe bashkëpunimin konsuesual me opozitën në këto 4 vjet, kreu i qeverisë theksoi se kthehej krenar në Shqipëri dhe më i vendosur për të bërë çdo përpjekje në mbrojtjen dhe konsolidimin e Aleancës. Reformat e thella të ndërmarra nga qeveria ime kanë shndërruar Shqipërinë në vendin më tërheqës për investimet e huaja. Vitin 2008, ne e kemi mbyllur me rritjen ekonomike më të lartë në kontinent. Forcat tona të armatosura po shkojnë drejt një ushtrie profesioniste, kemi një buxhet mbi 2% të PBB-së dhe po aftësohen për të marrë pjesë në të gjitha misionet e NATO-s, ka theksuar kryeministri Berisha, duke veçuar punën që ka bërë qeveria shqiptare në reduktimin e krimit të organizuar dhe po lufton me zero tolerancë korrupsionin. Duke e cilësuar flamurin shqiptar ndër flamujt më të vjetër shtetëror në Europë, kreu i qeverisë e ka cilësuar ditën më të lavdishme pas ditës së pavarësisë së Shqipërisë. Unë kthehem në vendin tim krenar, që kjo ditë u shndërrua në realitet. Shqiptarët i detyrohen NATO-s liritë e tyre! Unë kthehem në Shqipëri, më i vendosur se kurrë për të bërë çdo përpjekje që vlerat dhe parimet, që Aleanca mbron të konsolidohen gjithnjë e më shumë në Shqipëri, ka theksuar Berisha në fund të fjalimit të tij. Ceremonia e ngritjes së flamurit shqiptar dhe atij kroat në zyrat qendrore të NATO-s, u drejtua nga Sekretari i Përgjithshëm i kësaj Aleance, Jaap De Hoop Scheffer nën masa të rrepta sigurie, ku merrnin pjesë ambasadorët e 28 vendeve anëtare të NATO-s, kryeministrat dhe ministrat e jashtëm të Shqipërisë dhe Kroacisë. Ceremonia në praninë e ambasadorëve dhe dy ministrave të jashtëm të Shqipërisë dhe Kroacisë përfundoi me një foto familjare, që shënon këtë moment të rëndësishëm të zgjerimit të Aleancës me anëtarë të rinj. Shqipëria dhe Kroacia u bënë anëtare me të drejta të plota të NATO-s më 4 prill, datë që përkoi me 60-vjetorin e krijimit të Aleancës euroatlantike.