E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis afishimi i listave zgjedhore në Fier

Ka nisur paraditen e djeshme afishimi i listave zgjedhore në të gjitha qendrat e votimit në bashkinë Fier. Lajmi konfirmohet si nga kryetari i komisionit të administrimit të zgjedhjeve në këtë bashki Ylli Shanaj që përfaqëson forcën politike të PD-së, ashtu edhe nga zëvendësi i tij Jani Fuli që përfaqëson forcën politike të PS-së. Sipas tyre, bashkia e Fierit këto zgjedhje do të ketë 11 qendra votimi më shumë sesa në zgjedhjet që janë zhvilluar vitet e tjera. Këtë shtesë ata e pohojnë duke thënë se në këto zgjedhje është rritur numri i votuesve nga 60 mijë në 65 mijë, ndërkohë që 5000 votues janë ata që nuk kanë figuruar në listat paraprake zgjedhore. Sipas këtyre burimeve mësohet se persona të caktuar janë marrë me afishimet. Në Fier janë 75 qendra votimi që do të jenë në kopshte, çerdhe e shkolla. Ata fillimisht kanë koordinuar punën me drejtues të Drejtorisë Arsimore Rajonale në Fier, ndërsa kanë lënë nga një person përgjegjës që të këqyr listat zgjedhore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›