E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis shembja e Kodrës së Durrësit, në rrezik dhjetëra banesa

03/12/2009  Reshjet e shiut dhe pjerrësia e madhe, bëjnë dhe më evident kërcënimin

DURRES- Reshjet e dendura të shiut dhe pjerrësia e madhe e dy faqeve të kodrës perëndimore të Durrësit kanë sinjalizuar domosdoshmërinë e ndërhyrjes për të penguar erozionin mbi banesa familjare. Janë më shumë se 150 apartamente banimi një-e-dykatëshe që e përjetojnë situatën me reshje të dendura si kërcënim për banesat e tyre. Shkarjet e kodrës janë bërë të dukshme në anën e Currilave, por edhe në pjesën perëndimore. Përgjithësish situata të tilla në vjeshtë e në dimër favorizohen edhe nga preja e masivit të gjelbër. Parku i madh që ka shërbyer si kurorë e gjelbër për qytetin e Durrësit është dëmtuar pjesë-pjesë nga prerjet pa kriter si dhe nga hapja e themeleve të pallateve shumëkatëshe. Në harkun kohor të pesë viteve janë shkëputur nga faqja e kodrës qindra m3 dhera si dhe shumë pemë kanë zbuluar rrënjët për të paralajmëruar katastrofë humane. Banorët e rrezikuar nga gërryerja e dherave nën këmbët e banesave të tyre ndihen të pafuqishëm edhe për faktin se bashkia, prefektura, qarku dhe së fundi drejtoria e ALUIZNI-t kanë deklaruar moslegalizim të ndërtimeve. Para viteve një pallat 5-katësh tek ish kirurgjia e vjetër, nën faqen e kodrës, rrezikoi të fundosej në baltën dhe dherat që rrëshqitën pas ditëve të gjata me reshje. Familjet u shpërngulën përkohësisht për t’u rikthyer pasi ekipi emergjencave civile largoi dherat dhe liroi hyrjet e pallateve. Specialistët kanë pohuar se toka argjilore dhe pjerrësia e madhe në dy faqet e kodrës së populluar nga banesat e shumta rrezikojnë pasi kanë bazë të dobët. Vetëm një vit më parë lokalet përgjatë rrugës Brryl-Currila u fundosën në pellgun e madh të dherave, ndërkohë që bashkia dhe as institucionet e tjera nuk kanë mundur të ndalin ndërtimet në kodër dhe në anë të saj. Madje në këtë zonë me shumë pasiguri për jetën bashkia ka miratuar leje ndërtimi dhe leje sheshi ndërtimi për pallate 10 apo 15 kate. ALUIZNI vazhdon të ushtrojë “presion” duke mos pranuar të kalojë në proces legalizimi as këto pallate dhe as 150 shtëpi banimi për të vetmin fakt se nuk paraqesin siguri për banorët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›