E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qytetarët nuk tërheqin certifikatat e pronësisë

04/12/2009  DURRES- Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP) në Durrës u ka bërë apel qytetarëve që kanë aplikuar për pajisjen me certifikatën e pronësisë që të paraqiten në sportele për të tërhequr ato. Zëvendës regjistruesi i zyrës vendore të Durrësit, Ilir Gjinali, është shprehur se në sportelet që janë krijuar në shërbim të qytetarëve merren në dorëzim 70-100 kërkesa në ditë, por vihet re se një numër i konsiderueshëm i këtyre qytetarëve nuk janë paraqitur për të tërhequr certifikatat e pronësisë.

Certifikatat

Aktualisht në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme gjenden më shumë se 700 certifikata që janë bërë gati sipas kërkesave të personave të interesuar. Certifikatat në fjalë janë në pjesën më të madhe të tyre të lëshuara që nga viti 2004 dhe në vazhdim dhe sipas drejtuesve të hipotekës është e pakuptueshme neglizhenca e qytetarëve në këtë drejtim. Në sportelet e hipotekës paraqiten çdo ditë dhjetëra persona nga zonat rurale dhe qyteti për pajisjen me certifikatë pronësie, ose për verifikimin e gjendjes juridike të pronës. Në rastet kur qytetarët kërkojnë të pajisen me kartelë pronësie, ajo jepet brenda 24 orëve nga momenti i aplikimit. Për rastet e certifikatës së pronësisë ajo ka një afat që shkon nga 7-10 ditë, në varësi të dokumentacionit ligjor. Pranë sporteleve të hipotekës paraqiten për marrjen e certifikatës së pronësisë dy kategori njerëzish: persona pronarë të trojeve, sipërfaqeve të ndryshme nga fshati dhe qyteti. Për kategorinë e parë kërkohet akti i marrjes së tokës në pronësi (tapia) që është lëshuar nga komisioni i ndarjes së tokës, ndërsa personat që janë në qytet kërkohen vendimet e Komisionit të Kthimit të Pronave, ose notat e vjetra të transkriptimit. Për të përballuar fluksin e lartë të kërkesave Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka një ekip prej 40 vetësh.

Mbivendosjet

Prej afro një viti në hipotekën e Durrësit është ngritur një grup pune për fshirjen e mbivendosjeve. Grupi në fjalë përbëhet nga katër specialistë dhe po shqyrton të gjitha praktikat një nga një që kanë vendosje njëra mbi tjetrën. Procedura në fjalë konsiston në verifikimin e pasurive në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave për verifikimin e titujve të pronësisë në 100 për qind të rasteve që janë regjistruar në këtë zyrë. Procedura në fjalë zgjat më shumë në kohë se ajo që kërkohet për lëshimin e një certifikate të pronësisë, pasi verifikimet dhe saktësia mbi një pronë të caktuar kërkohet që të konfirmohet nga disa burime njëherësh. Për marrjen e vendimeve në lidhje me fshirjen e mbivendosjeve ZVRPP e Durrësit bën shpalljet një nga një, të cilat afishohen në ambientet ku janë të pranishëm qytetarët. Më pas, personave që nuk iu njihet prona pas verifikimit të titujve të pronësisë, kanë të drejtë që brenda një muaji të shkojnë në gjykatë për të kundërshtuar vendimet e hipotekës. Zëvendësregjistruesi Ilir Gjinali ka deklaruar se deri tani asnjë vendim i gjykatës nuk është dhënë kundër atij të regjistruesit në lidhje me fshirjen e mbivendosjeve. Për të mos pasur probleme apo vonesa të pajustifikuara, zv/regjistruesi Gjinali i ka bërë thirrje qytetarëve që të paraqiten me dokumente të sakta ligjore në sportelet e hipotekës për marrjen e certifikatës së pronësisë, apo verifikimin e gjendjes juridike të pronës. Grupi i punës për verifikimin e praktikave të pronave që kanë mbivendosje do të vazhdojnë përgjithmonë me këtë proces.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›