Pashkët sjellin dyndje në kufi
Mëngjesi i së premtes ka sjellë në pikat kufitare fluksin e parë të emigrantëve shqiptarë, të cilët punojnë dhe jetojnë në Greqi. Afrimi i Pashkëve ortodokse, që në vendin fqinj do të thotë edhe dy javë pushime, ka shtyrë shumë emigrantë, edhe nga ata që nuk festojnë, që të kthehen pranë familjeve në Shqipëri. Me rastin e kësaj feste, nga ana e policisë janë hartuar plane masash për të përballuar fluksin, për rritjen e sigurisë në rrugë, parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e masave në drejtim të goditjes së trafiqeve të paligjshme.
Në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës janë shtuar dje katër sportele, duke e çuar numrin e tyre në shtatë. Shtim sportelesh ka pasur dje edhe në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, ku janë vënë në funksionim gjashtë të tilla. Burime të policisë kufitare të Kapshticës njoftuan dje se gjatë 24 orëve të së mërkurës kishin hyrë në Shqipëri të paktën 5400 persona me 2100 mjete. Vetëm gjatë pasdites së të mërkurës në Kapshticë janë krijuar radhë, por kjo situatë nuk ka zgjatur për shumë kohë.
#