E Diel, 1 Nëntor 2026

Personat me precedentë penalë, larg shkollave

16/09/2009  Struktura të specializuara të policisë sigurojnë jetën e nxënësve

Do të mbahen nën vëzhgim, ndërsa do të bashkëpunohet dhe me mësuesit

KORÇE- Personat me precedentë penalë dhe gjithkush tjetër i njohur për prishjen e rendit dhe qetësisë publike do ta kenë të vështirë të qëndrojnë pranë ambienteve të shkollave dhe aq më tepër të marrin guximin për prishjen e qetësisë së nxënësve dhe mbarëvajtjes së mësimit. Me fillimin e vitit të ri shkollor, Drejtoria e Policisë së qarkut Korçë ka marrë një sërë masash për t’u ardhur në ndihmë nxënësve, mësuesve dhe mbarëvajtjes së mësimit. Masat e marra nuk do të lejojnë ndodhjen e ngjarjeve të padëshiruara, por në të njëjtën kohë vëmendja do të jetë e përqendruar edhe të shmangia e aksidenteve. Për realizimin e këtij synimi pranë ambienteve të shkollave do të jenë të pranishëm Specialistët e Policisë së Zonave, punonjës të Shërbimit të Qarkullimit Rrugor, por edhe struktura të Hetimit të Krimit. Gjithçka do të jetë nën kontroll, ku në mënyrë të vazhdueshme do të mbahen nën kontroll personat me precedentë penal. Ndërkaq mes strukturave të policisë dhe mësuesve të shkollës do të ketë një bashkëpunim të përhershëm, ku nuk përjashtohet as marrja e informacioneve nga qytetarët. Informacioni i mësipërm u bë i ditur nga burime pranë Drejtorisë së Policisë në qarkun e Korçës, të cilat konfirmuan se këto shërbime do të jenë të përhershme deri në përfundim të vitit shkollor. Burimet e referuara më sipër, bënë të ditur se, “me fillimin e vitit të ri shkollor, strukturat e Drejtorisë të Policisë të qarkut Korçë, nëpërmjet shërbimeve të saj ka marrë masa dhe ka përforcuar shërbimet, me qëllim shmangien e ngjarjeve te padëshirueshme”. Në vijim të këtij informacioni, burimet kanë shpjeguar të gjitha detajet. “Konkretisht, pohojnë burimet, nga këto struktura janë organizuar shërbime pranë shkollave, të cilat do të jenë prezentë aty. Në këto shërbime bëjnë pjesë Specialistët e Policisë të Zonave, ku ndërkohë do të jenë të angazhuara dhe struktura të Hetimit të Krimit. Një vëmendje e posaçme do t’i kushtohet edhe policimit në komunitete, çka do të bëjë të mundur mbajtjen në kontroll të personave me precedent kriminal, me tendencë prishjen e rendit dhe të qetësisë publike. Ndërkaq, burimet në fjalë sqaruan se edhe shërbimet e Qarkullimit Rrugor do të jenë të pranishme në rrugët lidhëse dhe hyrëse për në ambientet e shkollave, të cilat do të jenë të alternuara sipas kohës, fillimi i mësimit, pushimet e nxënësve dhe dalja e tyre nga shkolla. Këto shërbime do të shmangin kaosin që mund të krijohet nga lëvizja e mjeteve si dhe do të bëjnë të mundur parandalimin e aksidenteve të mundshme. Burimet e cituara më sipër bënë të ditur gjithashtu se, “Strukturat e Drejtorisë të Policisë të qarkut, në çdo kohë dhe në çdo moment do të jenë të gatshme për të ndihmuar Drejtorinë Arsimore dhe stafin pedagogjik të shkollave për çdo problem apo shqetësim që ata do të kenë në punën e tyre gjatë këtij viti mësimor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›