E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk kishte komplot kundër Ramës

Nga Express më 31 janar 2011 në ora 14:00

Babai i Luan Ramit, të arrestuarit kryesor si organizator i një komploti për vrasjen e kreut të opozitës në Shqipëri, Edi Rama, ka thënë se revoltimi i djalit të tij ishte veprim i nxituar në këto kohë të vështira, por, sipas tij, dyshimet për përfshirjen e tij në një komplot janë qesharake.

Zenel Rami nga Burreli, ka thënë për të përditshmen Mapo se i biri i tij ishte revoltuar pasi më 21 janar i kanë thyer xhamat e makinës disa nga protestuesit dhe se nuk ishte në dijeni të faktit se i biri i ka dërguar një ‘sms’ kreut socialist Edi Rama.

“Më kanë thënë se ka dërguar një porosi në telefon. Në qoftë se ka bërë vërtet, shumë gabim ka bërë dhe është shenjë papjekurie dhe nxitimi. Sepse në këtë situatë të tendosur shkojnë koka njerëzish e nuk diskutohet fare pse u thyen dy xhama makine”, ka thënë Rami.

73-vjeçari, prind i njërit nga tre personat që kishin kërcënuar kryetarin e opozitës, ka thënë se djali i tij mund të ketë qenë nën efektin e alkoolit në momentin që ka dërguar sms, duke sjellë për pasojë këtë situatë, sipas tij të keqkuptuar.

“A është serioze dhe a ka logjikë që një njeri që na paska plane për një vrasje politike shumë të rëndë, t’i çojë ‘sms’ kreut të opozitës, që ishte në këtë rast edhe objektivi? Kjo është një histori qesharake dhe e them me përgjegjësi”, ka thënë ai.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›