OSBE: Asistencë për mbikëqyrjen parlamentare të shërbimeve informative
Prezenca e OSBE-së mbështeti dje mbikëqyrjen parlamentare të shërbimeve informative. Nëpërmjet një komunikimi për shtyp, prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka bërë të ditur dje se është duke ofruar asistencën e saj në hartimin e projektligjit mbi mbikëqyrjen parlamentare të shërbimeve informative dhe të sigurisë. Duke iu referuar këtij njoftimi, thuhet se “një ish-anëtar i specializuar i Komisionit për Sigurinë dhe Shërbimet Informative të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, së bashku me personelin e OSBE-së, do të japë rekomandime, të cilat do t'i paraqiten kryetarit dhe anëtarëve të komisionit të të gjitha partive politike, anëtarëve te institucioneve dhe shoqërisë civile, para se të miratohet projektligji. Synohet hartimi i një versioni të parë paraprak për forcimin e procedurave parlamentare, përfshirë përmes proceseve të konsultimit publik”.
Ambasadori Robert Bosch, kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ka bërë me dije se “Mbikëqyrja parlamentare e shërbimeve kombëtare informative dhe të sigurisë, si dhe e institucioneve qeveritare që i mbikëqyrin ato, siguron llogaridhënie demokratike”. Projektligji rregullon mbikëqyrjen nga Parlamenti të punës së shërbimeve informative dhe të sigurisë. Ky ligj është i ndryshëm dhe më vete nga ndryshimet në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror, të debatuara publikisht së fundmi.
#