Obama kërkon bashkimin e demokratëve

Në bisedën nëpërmjet telekonferencës me zgjedhësit nga shteti Iowa, ai përkujtoi se para katër viteve mbështetja që e ka marrë në këtë shtet e ka shënuar fillimin e rrugës së tij drejt Shtëpisë së Bardhë.
Obama iu drejtua pjesëmarrësve në kuvendin partiak të demokratëve në momentin kur republikanët në Iowe votuan për atë se kë të zgjedhin për kundërshtar të tij si kandidat presidencial për zgjedhjet në nëntor.
"Ndryshimet asnjëherë nuk janë të lehta. Problemet të cilat po i zgjidhim gjatë tre viteve të fundit, nuk janë krijuar për një natë dhe ne nuk do t'i zgjidhim për një natë. Por ne po përparojmë në mënyrë stabile dhe duhet ta mbajmë këtë dinamikë", deklaroi Obama.
Ai i theksoi arritjet gjatë mandatit të tij të parë, premtimet e tij të realizuara, fundin e luftës në Irak, reformat në sigurimin shëndetësor, përpjekjet për rimëkëmbje të ekonomisë, por shtoi se ende pason shumë punë dhe pikërisht për këtë arsye i nevojitet edhe mandati i dytë.
"Në vitin 2012 duhet t'i përkujtojmë amerikanët se sa larg kemi arritur dhe cili është rezultati konkret nga disa prej përpjekjeve tona", shtoi Obama.