E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenderi, biznesmenët pranojnë të bashkëpunojnë

Hetimet

Dy biznesmenët e hetuar për abuzimet me tenderat e uniformave në Ministrinë e Brendshme kanë pranuar të “bashkëpunojnë” me Prokurorinë e Tiranës, duke treguar të dhëna të dobishme për hetimin. Për shkak të bashkëpunimit dhe rrezikshmërinë shoqërore ata kanë përfituar lehtësira ligjore. Njësia kundër krimit ekonomiko-financiar në Prokurorinë e Tiranës vijon hetimet për këtë abuzim, ndërsa saktëson se dy sipërmarrësit Artan Berberi dhe Agur Sadiku, do të hetohen në gjendje të lirë, megjithëse më parë u arrestuan me akuzën e korrupsionit aktiv në tenderin e uniformave shtetërore me vlerë 175 milionë lekë të reja. Dy biznesmenët janë lënë të lirë nga qelitë e burgut pas një vendimi që ka ndryshuar masat e sigurimit personal ndaj tyre. Sipas gjykatës, Artan Berberi, pronar i kompanisë “Malbertex” sh.p.k, i cili pas ndalimit nga policia më 22 dhjetor 2009, ishte lënë në “arrest me burg” tani do të hetohet në gjendjen e “arrestit shtëpiak”. Të njëjtin fat ka pasur edhe biznesmeni tjetër, Agur Sadiku, pronar i kompanisë “Sadiku” sh.p.k, i cili nga masa e arrestit me burg është lënë në gjendje “arrest shtëpie”. Dy biznesmenët u arrestuan në ditët e fundit të dhjetorit 2009 me akuzën se kanë ofruar ryshfet për t’u shpallur fitues në tenderin me vlerë 175 milionë lekë të reja për blerje uniformash, organizuar nga Njësia e Prokurimeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme. Pronarët e kompanive ranë në pranga bashkë me drejtorin e Prokurimeve në Ministrinë e Brendshme, Bujar Murati, i cili u arrestua së bashku me specialistin e Ministrisë së Integrimit, Redi Popescu, dhe shefin e Prokurimeve të Gardës së Republikës, Tahir Imami. Zyrtarët dhe biznesmenët u kapën gjatë aksionit të koduar me emrin “prokurimi” pas një hetimi të nisur më 11 shtator 2009 nga antikrimi ekonomik në polici dhe Njësia Task-Force në Prokurorinë e Tiranës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›