E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD kërkon ndryshimin e ligjit për legalizimet

28/02/2009  Deputetët i propozojnë Kuvendit ndërhyrjen e qeverisë në proces

Partia Demokratike përmes një grupi deputetësh i ka propozuar Kuvendit ndryshimin e ligjit nr. 9482 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”. Përmes amendamentit gjashtë firmëtarët kanë propozuar ndryshimin e nenit që parashikon procedurat për fillimin e legalizimit të ndërtimeve pa leje. Të gjitha kompetencat e parashikuara në të për zyrat e urbanistikës dhe të këshillave të qarkut, kur nuk ushtrohen nga këto të fundit brenda afateve ligjore, i merr përsipër ALUIZNI. Ajo që propozojnë ligjvënësit është futja në këtë proces edhe i qeverisë, e cila me vendim përcakton afatet, mënyrën dhe kohën e ushtrimit të këtyre përgjegjësive. Këto përgjegjësi ngarkojnë zyrën e urbanistikës të kryejë në terren evidentimin e ndërtimeve pa leje për përfshirjen e tyre në procesin e legalizimit dhe përgatit raportin për gjendjen faktike së bashku me argumentimin teknik e ligjor të zonës. Për zonat e vendbanimet informale ajo e depoziton raportin në këshillin e qarkut brenda 30 ditëve me mbarimin e afatit të vetëdeklarimit. Zonat informale të miratuara nga këshilli i qarkut brenda 30 ditëve nga dorëzimi i materialit përkatës i propozohen për miratim KRRTRSH-së në mbledhjen më të afërt. Ndërsa bllokbanimet dhe ndërtimet informate miratohen në këshillin bashkiak ose komunal dhe KRRT-në e bashkisë/komunës përkatëse brenda 30 ditëve dhe për objektet informale deri në 1 ha, për bllokbanimet dhe ndërtimet pa leje, të veçuara ose në territore të tjera dhe për “shtesa pa leje në ndërtime me leje” vendos njësia e urbanistikës dhe KRRT-ja përkatëse. Depozitimi i gjendjes faktike, i argumentimit teknik, shqyrtimi dhe miratimi bëhen në zyrën e urbanistikës dhe të këshillit të qeverisjes vendore brenda 6 muajve nga mbarimi i afatit të vetëdeklarimit. Për ndërtimet pa leje në “territore të tjera” zyra e urbanistikës kërkon miratimin e këshillit të qarkut dhe të drejtorive rajonale të bujqësisë dhe ushqimit dhe agjencive rajonale të mjedisit. Të tria i kthejnë përgjigje zyrës së urbanistikës brenda 30 ditëve nga paraqitja e dokumentacionit. Vetë zyra e urbanistikës dorëzon menjëherë dokumentacionin përkatës pranë këshillit të qarkut dhe drejtorive rajonale të bujqësisë jo më vonë se 30 ditë nga paraqitja e kërkesës. Sipas relacionit që shoqëron nismën ligjore, deputetët e PD-së shpjegojnë se ndërhyrja e tyre në ligj ka të bëjë me ndreqjen e një pasaktësie teknike dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cili shfuqizoi disa nene të ligjit nr. 9895 për legalizimin.

Amendimi

Në rast se pas kalimit të afateve zyrat e urbanistikës ose këshillat e qarkut nuk ushtrojnë përgjegjësitë e përcaktuara në këtë nen, atëherë ALUIZNI merr përsipër ushtrimin e këtyre përgjegjësive.

Afatet, mënyra dhe koha e ushtrimit të këtyre përgjegjësive përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›