PD rrëzoi për arsye politike tre kandidatura të Topit
Përfaqësuesit e Partisë Demokratike në Komisionin e Ligjeve dhe më pas në seancë plenare, kanë rrëzuar deri tani tre kandidatura të ardhura nga Presidenti i Republikës për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Kështu, më shumë se një muaj më parë, PD-ja refuzoi kandidaturën e Vangjel Kostës për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Refuzimi i kësaj kandidature u përligj nga ana e mazhorancës, me faktin se Kosta kishte shërbyer për disa vite si gjyqtar gjatë regjimit komunist në vend. Po kështu, përfaqësuesit e mazhorancës theksuan se gjatë kësaj kohe, Kosta kishte shqyrtuar dhe dhënë dënime edhe për çështje politike. Për shkaqe politike, në muajin korrik mazhoranca rrëzoi edhe dy nga tre kandidaturat e Presidentit Topi për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Demokratët votuan kundër kandidaturave të Sokol çomos dhe Vexhi Muçmatës, duke i konsideruar këta persona si të papërshtatshëm për të qenë pjesë e kësaj gjykate, lidhur me faktin se ata kishin shërbyer si funksionarë përgjatë kohës kur në qeverisje ishte Partia Socialiste.
#