PS: Presidenti, jo falje tre muaj para dhe pas zgjedhjeve
Socialistët kushtëzojnë Presidentin të dekretojë faljen e një të dënuari tre muaj para dhe pas datës së zgjedhjeve të përgjithshme të dekretuara prej tij. Propozimi i së majtës parlamentare ka ardhur nëpërmjet amendamenteve të projektligjit “për faljen” në Komisionin e Ligjeve. Ky vendim ndryshon kursin e deklaratave të opozitës, duke e kaluar në ekstremin tjetër menjëherë pas faljes së 367 të burgosurve, duke ia atribuuar ministrit të Drejtësisë rolin themelor në ushtrimin e faljes të të dënuarve. Pengesa për lirimin e të burgosurve tre muaj përpara dhe pas zgjedhjeve duket se është çështje thelbësore në axhendën e së majtës, e cila vjen si rezultat pas denoncimeve të rasteve në zgjedhjet e 28 qershorit dhe pas akuzave se nga lista e 367 të burgosurve që përfituan “amnistinë Topi”, përfituan edhe persona të cilët përfituan leje gjatë zgjedhjeve. Muaj më parë ishte sërish e njëjta opozitë dhe të njëjtë deputetë që u ankuan tek Presidenti për lirimin e të burgosurve gjatë zhvillimit të zgjedhjeve të fundit parlamentare. Në pikën 2, të nenit 10, e cila do të diskutohet gjatë kësaj jave në Komisionin e Ligjeve, opozita kërkon që “Presidenti nuk mund të dekretojë faljen e një të dënuari 3 muaj përpara dhe pas datës së zgjedhjeve të përgjithshme të dekretuara prej tij”. Dy forcat kryesore politike kanë rënë dakord vetëm në javën e parë të qershorit për të realizuar kompromisin kundër palës së tretë, kryetarit të shtetit. Ligji për “Faljen” ishte kompetenca tradicionale e Presidentit, por kompromisi PD-PS e ndryshon atë, duke ia lënë në dorë ministrit të Drejtësisë propozimin e emrave të të burgosurve për lirim dhe kreu i shtetit ka të drejtë vetëm dekretimin. Sipas Kushtetutës së vitit 1998, Presidenti ushtronte të drejtën e faljes sipas ligjit, por me ndryshimet e reja ligjore, kjo kompetencë bëhet tërësisht formale, duke ia atribuuar këtë rol ministrit të Drejtësisë. Roli i Presidentit do të jetë pasues i një ministri politik të forcës së radhës në pushtet. Do të jetë Ministria e Drejtësisë ajo që do të përgatisë dokumentacionin me emrat e të burgosurve që do të përfitojnë falje dhe do ta dërgojë tek Presidenti. Sipas demokratëve, Presidenti, brenda 30 ditëve do të shprehet nëse është dakord apo jo për të dekretuar këto emra. Ndërsa opozita i lë Presidentit një vit fat për t’u menduar në lidhje me propozimet e Ministrisë së Drejtësisë. “Presidenti i Republikës dekreton faljen e të dënuarit brenda një afati prej një viti nga momenti i paraqitjes së praktikës përkatëse nga ministri i Drejtësisë. Me kalimin e këtij afati kërkesa për falje konsiderohet e rrëzuar dhe ministri njofton të dënuarin”, citohet në amendamentet e opozitës të paraqitura dje në Komisionin e Ligjeve. Me anë të këtyre ndryshimeve, Presidenti nuk do të ketë të drejtë të shtojë emra, të kërkojë rigrupim faljesh dhe të ndërmarrë nisma faljesh në ngjarje të shënuara. Komisioni i Ligjeve ka marrë në shqyrtim dje katër nenet e para të amendamenteve të projektligjit të Partisë Socialiste ka pasur vetëm ndryshime teknike, njëra prej të cilave ishte se “personi i dënuar ka vuajtur më shumë se 1/3 e dënimit të dhënë”. Përmes këtij projektligji synohet përcaktimi i kritereve dhe procedurave të dhënies së faljes për personat që vuajnë dënime me vendim gjyqësor.
#