PS: Të vendosur për transparencë të zgjedhjeve me ose pa Berishën

Tiranë, 5 Shkurt NOA - Partia Socialiste shprehu
sot edhe njëherë qëndrimin e saj në mbështetje të dialogut në tryezën e
Presidentit për ti dhënë një zgjidhje krizës së rëndë politike, me të cilën po
përballet sot vendi.
Partia Socialiste thekson me forcë qëndrimin
e saj se zgjidhja e krizës mund të arrihet vetëm përmes transparencës së plotë
të zgjedhjeve çka thuhet shprehimisht edhe në rezolutën e Asamblesë Parlamentare
të Këshillit të Europës, - deklaroi deputeti i PS, Blendi Klosi.
Ai tha se hapja e kutive të votimit është një
element i domosdoshëm për të hedhur dritë mbi të vërtetën e këtyre zgjedhjeve
dhe si e tillë, ajo përbën një kërkesë të panegociueshme të Partisë Socialiste.
Kurse vlerësoi se fatkeqësisht dje, Sali
Berisha, njeriu që është shkaktari kryesor i situatës së vështirë në të cilën
ndodhet sot vendi, na provoi me po të njëjtën gjuhë të politikës së vjetër se
atij i mungon vullneti për zgjidhjen e krizës që ka mbërthyer Shqipërinë, e
cila po paralizon jetën institucionale, po rrënon ekonominë dhe shtetin e së
drejtës.
Klosi siguroi më tej se Partia Socialiste
është e gatshme të dialogojë për të zbardhur të vërtetën e 28 qershorit, jo
sepse këtë e kërkon thjesht Partia Socialiste, por mbi të gjitha sepse këtë e
kërkojnë shqiptarët.
Por Partia Socialiste është po ashtu e
vendosur që të bëjë transparencën e plotë të zgjedhjeve me ose pa Sali
Berishën, dhe këtë hetim ai nuk e ndalon dot as me dëshirën e tij e as me
forcën e pushtetit, - paralajmëroi Klosi duke lëshuar një dozë të re kërcënimi
ndaj mazhorancës.
e.r/NOA