E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS bllokon mazhorancën në KQZ

02/06/2009  Numërim i votave, PD-PS akuza për bllokim të procesit

Udhëzimi duhet të miratohej me 5 vota, ndërkohë që mori vetëm 4

Partia Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve arriti të bllokonte mazhorancës duke votuar kundër udhëzimit për funksionimin e grupeve të numrimti të votave. Akti në tërësi nuk arriti të merrte 5 votat e kërkuara nga Kodi Zgjedhor sipas pikës 5 të nenit 24. Sipas tij, konsiderohen të miratuara kur votojnë jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së vendimet lidhur me “aktet me karakter normativ që kanë për qëllim rregullimin e çështjeve që lidhen me zgjedhjet”. Udhëzimi i përgatitur nga administrata e KQZ-së përcaktonte numërimin e votave nga të paktën dy anëtarë të GNV-së. Kjo pjesë e udhëzimit është kundërshtuar nga përfaqësuesit e opozitës në KQZ, duke pasur parasysh se Kodi Zgjedhor është taksativ në përcaktimin e numërimit të votave nga numëruesi i parë dhe nga sekretari. “Ligji i zgjedhjeve e thotë se GNV-të nuk mund të funksionojnë pa numëruesin e parë dhe sekretarin. Pyetja që shtrohet është: çfarë do të bëhet me procesin e numërimit, nëse këta të dy nuk do të jenë?”, - tha përfaqësuesi i PS-së Genc Gjonçaj. Këtë shqetësim të kolegut të tij përfaqësuesi i PD-së Njazi Kosovrasti e cilësoi si një përpjekje për të bllokuar situatën. “Kodi Zgjedhor është shumë i qartë në përcaktimet e tij dhe nuk është bllokues. Ne nuk mund të bëjnë përcaktime të tjera në udhëzues jashtë këtij ligji, që të bllokojmë situatën atje poshtë. Nëse duam të parashikojmë situata kur nuk i çojmë njerëzit, është tjetër punë. Nëse nuk i çojmë, le të vazhdojë numërimi edhe me dy veta”, - tha Kosovrasti. Në vijim të gjykimit të tij ai citoi pikat 3 dhe 4 të nenit 95, “Ngritja e grupit të numërimit të votave”. Pas diskutimeve të gjata, sërish KQZ-ja u nda në dy pjesë, gjë të cilën e reflektoi edhe në votimin 4 me 2 duke rrëzuar udhëzimin. Sipas këtij udhëzimi, në respektim edhe të Kodit Zgjedhor, çdo fletë votimi do të tregohet para kamerave për jo më pak se 4 sekonda dhe vota do të lexohet me zë të lartë. Por në asnjë rast dhe për asnjë arsye fleta e votimit nuk do të shfaqet më shumë se një herë në kamerë. “Qëllimi i shfaqjes vetëm një herë është thjesht për regjistrim dokumenti”, - shpjegoi kryetari i KQZ-së, Ristani. Edhe tabela e rezultateve për çdo qendër votimi do të shfaqet në kamerë për jo më pak se 5 sekonda. Me kërkesë të socialistëve, letra që do të përdoret për tabelat e rezultateve do të jetë kimike. KQZ-ja do të hapë procedurat për prodhimin e 5 mijë blloqeve me nga 5 fletë, të cilat do t’u vihen në dispozicion KZAZ-së dhe anëtarëve të GNV-së. Në rast të kërkimit të një kopjeje edhe nga subjektet e interesuara, atëherë tabela do të fotokopjohet e do të vuloset nga sekretari i KZAZ-së.

Fondi i partive

Shpërndarja e fondeve për 35 subjektet zgjedhore që do të marrin pjesë në zgjedhje, do të bëhet pikërisht në çastin kur Këshilli i Ministrave të vërë në dispozicion të KQZ-së shumën prej 65 milionë lekë të akorduara për financimin e fushatës zgjedhore të subjekteve zgjedhore. Përgjigjja zyrtare e KQZ-së erdhi pas shqetësimit që përfaqësuesi i Aleancës Demokratike, Genci Anastasi, ngriti gjatë mbledhjes së djeshme për vonesat e shpërndarjes.

GNV-të

Në gjysmën e grupeve të numërimit të votave numëruesi i parë propozohet nga PD-ja dhe në gjysmën tjetër nga PS-ja. Sekretari i grupet të numërimit të votave i përket partisë politike të kundërt me partinë që propozon numëruesin e parë. Në rast se ndonjë nga subjektet zgjedhore nuk paraqet propozime brenda afatit kohor, KZAZ-ja cakton me short zëvendësuesit mes anëtarëve të KQV-ve që i përkasin këtij subjekti zgjedhor në rang zone zgjedhore. Në të kundërt ai funksionon me jo më pak se 2 anëtarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›