E Shtunë, 31 Tetor 2026

PSV 91 ndërton strukturën politike dhe elektorale në rrethin e Krujës

Kryetari i PSV 91, Petro Koçi ka marrë pjesë në takimin me socialistë të rrethit të Krujë për ngritjen e strukturës përkatëse organizative dhe elektorale të PSV 91 për këtë rreth. Në takim u diskutua për situatën politike aktuale në vend dhe në rrethe. Ndihemi plotësisht të përjashtuar nga sistemi aktual politik. Gjithçka vendoset nga pashallarët politikë të Tiranës majtas e djathtas, u shprehën shumica e diskutantëve. Në përputhje me propozimet e ardhura nga baza socialiste e rrethit, mbledhja zgjodhi në krye të PSV 91 z. Hasan Stafa kryetar dhe z. Maliq Reçi sekretar. Që të dy me përvojë të spikatur në drejtimin e socialistëve të rrethit Krujë ndër vite. Kryetari Koci në fjalën e tij i kushtoi theks kostos që po paguan e majta socialiste nga pazari i 21 Prillit 2008 mbi Kushtetutën e Republikës. Sot duhej të kishim në pushtet një qeveri teknike, garante të respektimit të standardeve zgjedhore për provën e 28 qershorit. Megjithatë unë jam i bindur se të dy koalicionet e së majtës do ti japin vendit një maxhorancë socialiste për të qeverisur në 4 vitet e ardhshme, u shpreh Koçi. Ai tha se PSV 91 do të  ketë listat e veta të kandidatëve në çdo qark. Koçi shprehu bindjen se në këto lista do përfshihen vetëm socialistë të vërtetë dhe jo pedeistë të konvertuar në gjoja socialistë. Lidhur me faktet e reja të dala në dritë për lidhjet politike të Delijorgjit majtas e djathtas, ai i bëri thirrje Prokurorisë së Përgjithshme dhe Drejtësisë së pavarur të angazhohet pa u trembur në zbardhjen e procesit të ngritjes dhe funksionimit të pushtetit informal të Delijorgjit, si edhe në  zbardhjen e listës së emrave të bashkëpunëtorëve të tij politike djathtas e majtas. Parlamenti aktual ka shumë Delijorgjë në përbërjen e vet dhe fatkeqësisht ata do të jenë në krye të listave të kandidatëve të ardhshëm për deputete, deklaroi Koçi.
Për këtë arsye, ai iu bëri thirrje të mos votojnë partitë me Delijorgjë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›