E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pa strehë e divorcuara, jetonte prej 19 vitesh në spital

09/09/2009  Historia e infermieres Karmela Kiri. Duhet të lirojë dhomën, rikonstruktohet spitali

SHKODER- Një infermiere e spitalit rajonal të Shkodrës kërkon ndihmë emergjente për strehim nga shteti, pasi shumë shpejt do të mbesë në mes të katër rrugëve. Bëhet fjalë për infermieren 56- vjeçare Karmela Kiri, e cila prej 19 vitesh banon në një nga ambientet e spitalit ku ajo punon prej rreth 30 vitesh. Tashmë ajo është lajmëruar se duhet të lirojë ambientin ku jeton , (një dhomë që kishte funksionuar dikur si vendi i nënave që ushqenin fëmijët e sapolindur të maternitetit ), pasi ajo pjesë e spitalit do të rikonstruktohet.

Historia

Shtetasja Kiri, një grua e divorcuar që në vitin 1981, kaloi vështirësi të mëdha strehimi pas ndarjes nga i shoqi. Fillimisht shteti i la një dhomë në banesën e të shoqit, por më pas një vendim gjykate e nxjerr atë nga ajo strehë. Më pas shteti e sistemon në një banesë të vjetër të një pronari, pronën e të cilit ia kishte marrë shteti dhe e administronte lagjja. Pas vitit 1990 pronarit të vjetër të banesës ku banonte shtetasja Kiri, i kthehet prona, të cilën ai e shet, ndërkohë që një vendim gjykate e nxjerr gruan e vetmuar nga shtëpia. Puna e saj e mirë për vite me radhë, dhe njohja me fatkeqësinë që e kishte ndjekur, sollën në atë kohë reagimin e menjëhershëm të drejtuesve të spitalit rajonal të Shkodrës, të cilët e sistemuan në ambientin e institucionit, ku deri më sot nuk pati probleme nga asnjë nga drejtuesit e tjerë që pasuan njëri-tjetrin. Ndërkohë prej dhjetë vitesh shtetasja Kiri kërkonte nga Bashkia një strehë, pasi i plotësonte kushtet. Duke e parë si të vetmen strehë të saj, Karmela Kiri investoi me ato pak para që kursente nga rroga dhe e ktheu dhomën ku strehohej në një ambient të jetueshëm. Fatkeqësisht për të, tashmë edhe atë dhomë duhet ta lirojë këto ditë, pasi pritet të fillojë faza e tretë e rikonstruksionit të spitalit rajonal të Shkodrës, investim i Bankës Botërore. E mbetur mes katër rrugëve infermierja Kiri kërkon ndihmë nga shteti për strehim e saj.

Premtimi

Sipas Kirit, pa asnjë shkresë, por vetëm gojarisht i është thënë se do ta fusin në një konvikt. Ndonëse ide qesharake për një grua të divorcuar, pa mbështetje dhe pastrehë që prej fillimit të viteve ‘80-të, përsëri edhe ky premtim nuk dihet se sa do të realizohet. “Kërkoj prej organeve kompetente që të më strehojnë si të gjithë qytetarët e tjerë që plotësojnë kriteret e të pastrehut. Ka vite që kam bërë kërkesën, por askush nuk më ka ndihmuar për të marrë atë që më takon sipas ligjit. Janë ndarë shumë apartamente për të pastrehët dhe për çdo vit kam pritur se do më dalë emri, por asnjë herë nuk mendoi kush për mua, sepse jam femër që jetoj e vetme dhe nuk ka kush të më ndihmojë. I bëj thirrje për ndihmë Kryeministrit Berisha, i bëj thirrje zonjës Topalli që ka dalë në fushatë dhe ka premtuar ndihmë për gratë e divorcuara e ndërkohë më nxjerrin në këtë moshë dhe fillikat të vetme në rrugë të madhe. Kjo është ndihma që po më japin”, thekson vetë shtetasja Karmela Kiri. Ndërkohë kjo shtetase ka filluar të paketojë rrobat e saj, për t’u larguar ndoshta në një dhomë konvikti. Nga ana tjetër të gjitha pajisjet e tjera që i ka blerë me mundim të madh, nuk di se ku duhet t’i çojë, pasi një dhomë konvikti nuk i nxë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›