E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërmeti në Dibër, banorët kalojnë natën jashtë

09/09/2009  Mbërrijnë çadrat e para, vazhdojnë lëkundjet. “Nuk largohemi, frikë nga vjedhjet, nuk kemi as lekë”

DIBËR- Edhe natën e së hënës banorët e rrethit të Dibrës, të cilët u goditën nga tërmeti i dy ditëve më parë e kanë kaluar jashtë. Frika e ndonjë tërmeti tjetër të fortë si dhe pasiguria e banesave të dëmtuara i ka detyruar dhjetëra banorë të marrin batanije, çarçafë e të flenë në tokë. Ndërkohë lëkundjet kanë vazhduar ndonëse me intensitet më të vogël.

Banorët

Banorët tregojnë se janë të frikësuar të rikthehen në shtëpitë e tyre, e për këtë kanë zgjedhur të flenë jashtë, nëpër makina, apo të mbuluar me batanije në oborret para banesave.

Ata bëjnë apel që shteti të shpejtojnë me ndihmat, pasi vetë nuk mund tia dalin dot.

Sipas specialistit Rrapo Ormeni, ky është një tërmet që i vijon lëkundjet deri sa të shuhen përfundimisht. "Duke marrë parasysh situatën e djeshme që lëkundjet më të mëdha arritën në 3.5 rihter, gjatë natës situata ka qenë më e qetë. Ne kemi regjistruar lëkundje me magnitudë 2-3.2 rihter, pra lëkundje me vlera të vogla. Lëkundja e fundit e regjistruar ka qenë në orën 07.09 me magnitudë 2.9 rihter",- thotë ai. Sipas Ormenit, është normale që në këtë rast lëkundjet të vijojnë edhe ditët në vazhdim, pasi janë pasgoditje që shprehin çlirimin e energjisë së tërmetit deri sa ato të shuhen fare. Ndërkohë qeveria ka nisur drejt zonave më të prekura çadra kampingu. Gjithsesi, sipas banorëve të Gjoricës, çadrat kanë ardhur në numër të kufizuar dhe një pjesë e tyre kanë mbetur sërish pa strehë. Shumë prej tyre shprehen se e kanë kaluar natën nëpër makina apo nën plastmasë pasi ka pasur dhe shi gjatë natës. “Jemi me fëmijë të vegjël, nuk e dimë si do na shkojë halli”, thotë një banor i kësaj zone.

Ndërkohë shumë prej këtyre banorëve shprehen se nuk largohen dot nga banesat pasi kanë frikë nga ndonjë grabitje e mundshme. Tërmeti i të dielës me magnitud 5.4 rihter, epiqendra e të cilit u lokalizua në fshatin Gjoricë, 19 kilometra në Jug-Lindje të qytetit të Peshkopisë dhe 63 kilometra në Veri-lindje të Tiranës, për fat nuk shkaktoi të lënduar në njerëz, por vetëm dëme materiale. Përfaqësues të lartë të shtetit, mes të cilëve dhe Kryeministri Sali Berisha, gjatë ditës së djeshme, ndoqën nga afër situatën e krijuar në këtë zonë, duke garantuar mbështetjen dhe ndihmën e plotë për banorët e dëmtuar.

Librazhd, frikë nga ndonjë tërmet shkatërrues

ELBASAN-Një grup specialistësh nga prefektura e Elbasanit janë nisur drejt zonave ku janë lajmëruar shtëpi të dëmtuara në territorin e Librazhdit. Tërmeti i dy ditëve më parë mësohet se ka dëmtuar pjesërisht rreth 40 shtëpi. Sipas të dhënave të komunës Stëblevë, kryesisht ka qenë më i goditur fshati Moglicë, por edhe fshatra të tjerë të kësaj zone. Sipas burimeve në këtë zonë, banorët kanë braktisur përkohësisht disa prej shtëpive që kanë pësuar krisje duke qëndruar tek shtëpitë e tjera më të reja nga frika e përsëritjes së tërmeteve. Ata thonë se në rast të një lëkundjeje tjetër si ajo atëherë shtëpitë rrezikojnë të shemben dhe mund të krijojnë edhe viktima. Ndërkohë përfundimet e inspektimit pritet të bëhen publike në ditët në vazhdim ku do të konfirmohen edhe dëmet e shkaktuara në zonën e Elbasanit nga tërmeti. Elbasani bën pjesë në zonat me intensitet të lartë sizmik. Ky qark ka kërkuar ngritjen edhe të një stacioni sizmologjik në Elbasan për të pasur informacione më të plota dhe të sakta rreth lëkundjeve që regjistrohen në këtë zonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›