E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pacientët me hemoializë, kostoja e trajtimit 10-12 mijë euro në vit

Kostoja e një të sëmuri që trajtohet me hemodializë në vendin tonë arrin në 10-12 mijë euro në vit, ndërkohë që janë rreth 350 pacientë që marrin këtë shërbim  pranë repartit të Nefrologjisë në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë.
Shërbimi i hemodializës mundësohet falas nga shteti për të gjithë të sëmurët. "Ndërkohë, numri i të sëmurëve me insufiçencë renale, apo mosfunksionimin e veshkave, ka njohur rritje kohët e fundit, kjo dhe për shkak të kulturës mjekësore në rritje dhe diagnostikimit në kohë të sëmundjes", thotë Koordinatori i Programit INTERREG III, për palën shqiptare, Bardh Spahia. Sipas tij, janë rreth 100 raste të reja çdo vit që kërkojnë të marrin këtë shërbim dhe që janë potencialisht kandidatë për transplant të veshkës.
     Prof. Nestor Thereska, shefi i Nefrologjisë në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, thotë se aktualisht në vend funksionojnë 4 qendra dialize, në Tiranë, që është më e madhja dhe ku trajtohen rreth 200 të sëmurë, qendra private e spitalit amerikan, e cila funksionon prej tre muajsh dhe ku trajtohen 85 të sëmurë, (të financuar nga shteti), qendra e Elbasanit me rreth 46 të sëmurë, e Shkodrës me 26 të sëmurë, ndërsa me më pak Gjirokastra me rreth 8-10 të sëmurë. "Duhet thënë se është bërë një hap i madh në drejtim të trajtimit me dializë të të sëmurëve", u shpreh Prof. Thereska, sipas të cilit, në vitin 2006, shërbimi i nefrologjisë ka patur 44-46 të sëmurë që trajtoheshin me dializë, ndërsa në tre vjet janë bërë investime të mëdha dhe sot kemi kapacitete për të plotësuar nevojat sapo paraqiten, gjë që ishte e pamundur disa vite më parë. "Tre vitet e fundit janë një bum i madh, por ne synojmë që të mbulojmë qytetet Peshkopi, Kukës, Librazhd, Korçë, Devoll, Pogradec dhe Fier, Vlorë e Lushnje dhe kjo pritet të jetë një zgjidhje", thotë ai, duke shtuar se mjekët e shërbimit të nefrologjisë po punojnë që të afrojmë pikat më komode për të sëmurët. Ndërkohë, sipas tij, regjistri i pacientëve renalë, që është në hapat e fundit të hartimit, do të mundësojë të dhëna më të sakta mbi numrin e tyre, por dhe pasqyrë të situatës së sëmundshmërisë në vend. "Ne dimë që për një kontigjent prej 1 milion banorë, kemi rreth 100 të sëmurë që duan dializë, por duke mos pasur  një regjistër të plotë dhe të dhënat e të gjithë pacientëve,  nuk kemi të dhëna të sakta për vdekshmërinë", tha Prof. Thereska, sipas të cilit, vdekshmëria është në të njëjtat nivele me ato evropiane.  Duke u ndalur më tej në këtë pikë, ai theksoi se tashmë vendi ynë ka të sëmurë me dializë prej 20-25 vjetësh dhe me transplant prej 5 vjetësh, që janë në gjendje shumë të mirë. Në klinikën e Urologjisë pranë QSUT-së, kryhen rreth 50 operacione në ditë. Grupmosha më e prekur nga këto sëmundje është 40-60 vjeç, por nuk mungojnë dhe grupmoshat më të reja. Faktori gjenetik ka rolin e tij, ndërsa, sipas mjekëve, ka dhe faktorë të tjerë determinues. Mjekët rekomandojnë ekzaminimi në kohë të sëmundjes, kontrollet e vazhdueshme edhe pa patur shenja klinike, për trajtimin në kohë dhe parandalimin e komplikacioneve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›