Pajisja e pasaporta, në 2009-n aplikuan 388 569 shtetas
06/01/2010 Në muajin dhjetor u katërfishuan aplikimet
TIRANE- Me gjithë problemet e hasura në disa bashki dhe komuna të vendit Ministria e Brendshme deklaroi dje se procesi i pajisjes së qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike po ecën me ritme të shpejta dhe duke zbatuar në mënyrë korrekte afatin dyjavor nga aplikimi tek lëshimi i pasaportës. Sipas këtij dikasteri, numri total i aplikimeve gjatë vitit 2009 ka arritur në 388 569 aplikime. Kjo gjë ka ardhur falë edhe mbështetjes së plotë të opinionit publik dhe faktit se të gjithë qytetarët, e veçanërisht emigrantët, janë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e pajisjes me pasaporta biometrike për të përfituar liberalizimin e vizave në mesin e këtij viti, ashtu siç edhe ka premtuar qeveria shqiptare, ritmi i aplikimit gjatë muajit dhjetor ka qenë 2,3 deri edhe katër herë më i lartë se kapaciteti maksimal i ofruar fillimisht nga kompania “Aleat”.Opinioni publik duhet të sjellë në qendër të vëmendjes se si në muajin gusht edhe në muajin dhjetor 2009, kompania koncesionare “Aleat” në bazë të kërkesës së Ministrisë së Brendshme, aplikoi orare të zgjatura shërbimi, madje duke shërbyer edhe në ditët e pushimit, apo dhe me shtim të stacioneve të punës, për pajisjen me pasaporta biometrike të qytetarëve, kryesisht të shqiptarëve që jetojnë e punojnë jashtë vendit. Ndërkohë që Ministria e Brendshme shpreh keqardhjen që Partia Socialiste vazhdon politikën e saj demotivuese ndaj procesit të pajisjes së qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike.