Pakti detar, deputetët grekë: Nuk e pritëm mirë rrëzimin

Deputetët grekë e kanë konsideruar Omonia-n si një nevojë kombëtare. Ata shprehin pakënaqësi për mënyrën se si po trajtohet minoriteti
SARANDË - Përfaqësues të Parlamentit Grek akuzojnë opozitën shqiptare për rrëzimin e marrëveshjes së ujërave nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa e cilësojnë paktin për ndërtimin e varrezave greke si shpresëdhënës. Të paktën kështu është shprehur deputeti i partisë Demokracia e Re (Nea Dhimokratia), Stelios Kostaandinidhis. "Nuk na erdhi mirë që marrëveshja për kufijtë detarë u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese dhe rol negativ për këtë luajti opozita shqiptare. Vendimet e qeverisë shqiptare varrezat e ushtarëve grekë janë një mesazh shpresëdhënës, me gjithë kundërshtimin e bërë nga opozita shqiptare. Mesazhi që duhet të marrë qeveria shqiptare është të plotësojë të gjitha detyrimet ndaj minoritetit, që të përparojë drejt Europës. OMONIA është nevojë kombëtare", - ka theksuar parlamentari grek. Deklaratat e Kostandinidhis janë bërë gjatë Konferencës së Jashtëzakonshme të organizatës OMONIA, ku ka qenë i ftuar së bashku me deputeten dhe përfaqësuesen e partisë PASOK, Maria Dhimitrakopulu. Kjo e fundit është shprehur se "Ne jemi krenarë për ju dhe minoriteti grek në Shqipëri duhet të shërbejë si urë afrimi mes dy popujve. OMONIA duhet të mbetet organizata ku secili të shprehë opinionet e veta". Ndërkaq, nga ana tjetër në fjalën e vet, kryetari i OMONIA-s, Vasil Bollano, pranoi se kanë pasur edhe dobësi e gabime në veprimtarinë e kësaj organizate. "Ata që nuk bëjnë asgjë nuk gabojnë. Ndryshimi i statusit ka si qëllim afrimin e gjithë minoritarëve pranë kësaj organizate, pavarësisht bindjeve politike. Regjistrimi i anëtarëve në OMONIA me ndryshimin e statutit do të jetë i liberalizuar. Statuti i ri parashikon që procedura e regjistrimit të jetë e thjeshtuar. Problemi i dytë është zgjedhja e kryetarit sipas parimit "Një anëtar, një votë". Këto janë dy ndryshimet kryesore, pastaj ka edhe probleme të tjera në lidhje me pjesëmarrjen e anëtarëve të OMONIA-s në partitë e tjera ose jo. Ajo ngelet e zgjidhur, pasi OMONIA është përfaqësuese e minoritetit grek për arsye se u themelua si subjekt politik dhe nevojat e kohës e detyruan që të lindte PBDNJ-ja", është shprehur Bollano. "Jetojmë me shqetësimet e shtetit grek", - e ka nisur fjalën e vet kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule. Ai ka nënvizuar se ndryshe nga vite më parë, kur shteti e kishte fare të lehtë të shkelte të drejtat e minoritetit, tani Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe kur duam që çdo qytetar i këtij vendi të ndjehet qytetar europian. "Çfarë është më shumë Europa ku duam të shkojmë, se sa njohja e të drejtave të minoritetit?" - ka shtruar pyetjen Dule. Ndër problemet ku është ndalur posaçërisht Dule kanë qenë mënyra e funksionimit të Omonias, duke kërkuar që ajo të mos funksionojë formalisht, por si një organizëm i gjallë. "OMONIA nuk është as një kryetar apo sekretar i saj, por çdo anëtar i saj", - tha Dule. Ai është ndalur edhe në aleancën me PS-në në zgjedhjet e 28 qershorit. Ndërkaq, një nga drejtuesit e organizatës OMONIA dhe PBDNJ-së në vite, Spiro Ksera, aktualisht ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, ka deklaruar se OMONIA është një organizatë në funksion të liderit të saj. "OMONIA është një organizatë e lidershipit dhe jo në funksion të të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri. Ata që u përjashtuan pa të drejtë nga OMONIA nuk u ftuan të merrnin pjesë për të shprehur mendimin ndryshe në këtë asamble", - ka theksuar Ksera. Ky i fundit në përvjetorin e 19-të të organizatës OMONIA nuk u lejua të fliste nga drejtuesi i kësaj organizate, Vasil Bollano dhe kreu i PBDNJ, Vangjel Dule.