E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papa Benedikti XVI dhe simbolika e betejës së Otrantos

12-02-2013 / Gazeta 55

Ati i Shenjtë e shpalli vendimin e tij, pasi shenjtëroi 3 martirë të Betejës së Otrantos, beteja e parë mes italianëve dhe turqve, më 1480, pas rënies së kështjellave shqiptare të Krujës, Shkodrës e Himarës, me vdekjen e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit

Ati i Shenjtë, Papa Benedikti XVI ka njoftuar dorëheqjen nga froni dy mijë vjeçar i Shën Pjetrit. Sigurisht deklarata e Papës është në përkim të plotë me atë, që pati deklaruar edhe në librin-intervistë “Drita e botës”, të Peter Seevald, në të cilin lexojmë dy pyetje të sakta, që hamendësojnë mundësinë e dorëheqjes. Seevald-i e pati pyetur Papën, e kjo ishte pyetja e parë, për situatat e vështira, për peshën e tyre mbi papninë e për ndikimin mbi një dorëheqje të mundshme. E Papa u përgjigj: “Kur rreziku është i madh, nuk mund të ikësh, e ja pse ky, sigurisht, nuk është çasti për të hequr dorë (bëhej fjalë për çështjen e shpërdorimeve e kështu me radhë); pikërisht në çaste si ky, është e nevojshme të qëndrosh e ta kapërcesh situatën e vështirë. Kështu mendoj unë. Mund të hiqet dorë në çaste të qeta, ose kur nuk mundesh më, sepse të shterrojnë forcat. Nuk mund të ikësh në çastin e vështirë e të thuash: “Le të merret dikush tjetër me të”. Papa, pra, kishte thënë, kështu, se nuk ishin vështirësitë ato, që mund ta shtynin për të dhënë dorëheqjen, madje ishin për të mos e dhënë. Pyetja e dytë e Seevald-it: “Prej këndej, mund ta marrim me mend se ka edhe situata, që ju duken të përshtatshme për dorëheqjen e papës?”. Përgjigjja ishte: “Po, kur Papa bindet plotësisht se nuk është më në gjendje fizike, mendore e shpirtërore ta kryejë detyrën, që i është besuar, atëherë ka të drejtë, e në disa rrethana, edhe detyrë, të heqë dorë”.  Padyshim gazetarët e sotëm janë fatlumë që shkruajnë për një akt të radhë në historinë e njerëzimit, e cila nuk përsëritet shpesh. Hera e fundit që një Papë ka dhënë dorëheqjen ka qenë përpara gjashtë shekujsh. Dhe në historinë dy mijë vjeçare të Kishës katolike kanë dhënë dorëheqjen vetëm 6 Papë, ku 5 prej tyre janë detyruar dhe vetëm njëri prej tyre e ka dhënë me dëshirë.  Sigurisht Papa Benedikti XVI, një nga mendimtarët më të mëdhenj të kohës moderne për tetë vite të drejtimit të Kishës  ka kaluar shumë vështirësi, por ka bërë dhe shumë punë për të shëlbuar  besimin e besimtarëve tek Jezu Krishti. Ndaj ne nuk mund të gjejmë arsye të tjera përpos atyre të dhënë nga vetë profesori Joseph Ratzinger, i cili e ka marrë këtë vendim me ndërgjegje të plotë dhe për të mirën e Kishës Katolike.  Përtej kësaj, ekziston dhe një shteg për interpretimin e simbolikës në të cilën u dha ky mesazh sa befasues aq dhe historik. Papa Benedikti XVI ka bërë të mundur gjatë mandatit të tij të shkurtër që  mesha të bëhej edhe në latinisht nëse e kërkonin besimtarët. Mesha në latinisht reflekton kulturën e gjerë të këtij Atit të Shenjtë, Joseph Ratzinger, i cili përpara se të bëhej pasardhës në fronin e Shën Pjetrit ka qenë prefekt i Doktrinës së Kishës dhe këshilltar i ngushtë i Papa Gjon Pali II. Ndërsa ajo që bie në sy është fakti që lajmi i dorëheqjes së Papa Benediktit XVI erdhi në meshën për martirët e Otrantos. Martirët e Otrantos janë 800 banorët e qytetit të Otrantos në Pulja, të vrarë në 14 gusht të 1480 nga turqit e Ahmet Xhedik Pashës, i cili sulmoi fortesën me shumë anije të flotës turke të nisur nga Vlora. Rënia gjatë viteve 1478 e 1479 e Krujës, e Shkodrës, e Lezhës, e Himarës dhe e kështjellave të tjera i forcuan pozitat e pushtuesve osmanë në Shqipërinë Perëndimore dhe u krijuan atyre prapavija deri diku të sigurta për të realizuar synimet e sulltan Mehmetit II për pushtimin e Italisë dhe të vendeve të tjera të Evropës Perëndimore. Pas marrjes së këtyre qyteteve dhe përgatitjeve intensive, trupat osmane u grumbulluan në Vlorë dhe në rrethinat e saj. Në pranverë të vitit 1480 rreth 10 mijë ushtarë me Ahmet Xhedik Pashën në krye u nisën nga Vlora dhe zbarkuan në tokën e Mbretërisë së Napolit. Këtu ushtritë osmane rrethuan kështjellën e Otrantos, të cilën e pushtuan më 11 gusht të atij viti. Për më shumë se 25 vjet tokat shqiptare kishin qenë kështjella të pamposhtura për ushtritë osmane, të cilët kërkonin ta bënin bazë hedhëse për pushtimin e brigjeve të Adriatikut. Sulltan Mehmeti dëshironte të ndëshkonte mbretin e Napolit Ferrante, i cili kish dërguar ndihma dhe shumë kavalierë në ushtrinë e Skënderbeut për të ndaluar ecjen përpara të osmanëve. Dje, në ditën kur Papa Benedikti XVI po shenjtëronte tre martirë të Otrantos si simbolikë të asaj dite të tmerrshme për botën perendimore paraqiti kardinalëve të pranishëm abdikimin e tij nga papnia.     
Sidoqoftë për të kuptuar e vlerësuar këtë gjest të Papa Benedikti të XVI të dorëheqjes si tërë mësimin e tij që i lë Kishës, e edhe në këtë rast shohim një përvujtëri e profeci ungjillore në fjalët e Papës. Në meshën për fillimin e papnisë, shpjegonte: “programi im i vërtetë i qeverisjes, është të mos bëj vullnetin tim, të mos ndjek idetë e mia, por të vihem, me gjithë Kishën, në dëgjim të fjalës e të vullnetit ë Zotit e ta lë veten të më prijë Ai vetë”.  U zgjodh në fronin e Shën Pjetrit më 19 prill 2005, në moshën 78 vjeçare, duke u bërë Papa i shtatë gjerman në historinë e Kishës, pas një Konklavi, që zgjati vetëm dy ditë, me katër numërime votash. Zinte vendin e Gjon Palit II. Pas tetë vitesh në shërbim të fesë  ai është i ndërgjegjshëm se për shkak të moshës së shtyrë nuk arrin ta kryej si lypet shërbimin e tij të udhëheqjes së Kishës.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›