E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papa e donte Turqinë myslimane jashtë Bashkimit Europian

“Wikileaks” Si dhe kërkonte që ”rrënjët kristiane” të pasqyroheshin edhe në Kushtetutën e BE-së

Papa aktual është përgjegjës për rritjen e armiqësisë së Vatikanit përkundrejt futjes së Turqisë në Europë. Kjo ka dalë nga kabllo diplomatike të dërguara nga ambasada amerikane në Romë dhe të publikuara në ‘Wikileaks’. Në vitin 2004, Kardinali Racinger, Papa i ardhshëm foli kundër lejimit të një shteti mysliman në BE, edhe pse në atë periudhë Vatikani ishte neutral në mendimet e tij në lidhje me këtë çështje. Ministri i Jashtëm i Vatikanit në atë kohë, Monsinjor Pietro Parolin i ka thënë diplomatëve amerikanë se komentet e Racinger ishin personale dhe nuk përfaqësonin qëndrimin e Vatikanit. Kabllot diplomatike tregojnë se Racingeri ishte zëri kryesor pas përpjekjes së pasuksesshme të Selisë së Shenjtë për të siguruar një referencë të ”rrënjëve të Krishtera” të Europës në tekstin e Kushtetutës Europiane. Diplomati amerikan që ka hartuar kabllot, tregon se Racinger, ”qartësisht e kupton se lejimi i një vendi mysliman në Bashkimin Europian do të dobësojë edhe më tej çështjen e rrënjëve të krishtera të Europës”.

Në vitin 2006, Parolin punonte për Racinger, që tani ishte bërë Papa Benedikti XVI dhe toni i tij tani kishte ndryshuar shumë: ”As Papa, as Vatikani nuk e kanë penguar në vetvete  anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Europian, - i deklaroi ai një të dërguari me punë në ambasadën amerikane. - Përkundrazi, Selia e Shenjtë  ka qenë e hapur për anëtarësim, duke nënvizuar faktin se Turqia  duhet më parë që të përmbushë kriteret”.

Por, ai nuk priste që kërkesat për lirinë e fesë të përmbusheshin: ”Një frikë e madhe është se Turqia mund të hyjë në Europë pa bërë më parë përpjekjet e duhura për sa i përket lirisë fetare”. Parolini më pas ngulmoi se anëtarët e BE-së dhe vetë SHBA-të duhet ta nxisin Turqinë në lidhje me këto çështje.

Katolicizmi roman është e vetmja fe në botë me statusin e një shteti sovran, që i jep kështu mundësi klerikëve më të lartë të Papës që të ulen në një tryezë bisedimesh me liderët e shteteve të tjerë të botës. Kabllot diplomatike flasin për influencën rutinë të Vatikanit në kanalet diplomatike. Vatikani ka lidhje diplomatike me 177 vende të botës, dhe i ka përdorur lidhjet diplomatike dhe statusin e tij diplomatik për të lobuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kombet e Bashkuara dhe BE, në tentativë për të imponuar axhendën e tij morale përmes parlamenteve nacionale dhe ndërkombëtare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›