Papandreu, Berisha dhe Gruevski, takime bilaterale në Prespë
UPDATE- Pas vizitës në qytetin e Pogradecit, Kryeministri Berisha do të vijojë vizitën në bashkinë e Prespës në Greqi, ku do të marrë pjesë në një takim informal me dy homologët e tij, Kryeministrin grek Jorgos Papandreu, dhe Kryeministrin maqedonas Nikolas Gruevski. Lajmi i dhënë pak dite me parë nga mediat, u konfirmua sot përmes nje njoftimi te zyres se shtypit në Kryeministri.
Ky takim i organizuar nga Kryeministri grek Papandreu me Kryeministrat e vendeve të cilat lagen nga ujërat e Liqenit të Prespës, do të finalizohet me firmosjen e një deklarate të përbashkët për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe zhvillimit të ekosistemit të liqenit të Prespës dhe të Parkut kombëtar të Prespës. Gjatë kësaj vizite do të ketë edhe disa takime bilaterale.
Papandreu fton në Prespë 'ish-armikun Berisha'
24 nentor
Mediat greke raportojnë për një takim informal mes tre kyreministrave të vendeve fqinje, Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë. Takimi pritet të mbahet ditën e premte pranë liqeneve të Prespës.
Agjencia 'athens news' shkruan se ka qenë Kryeministri i Greqisë, George Papandreou, nismëtari i takimit. Ai ka ftuar Kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha dhe atë të Maqedonisë, Nikola Gruevski për një takim në Parkun Kombëtar të Liqeneve të Prespës.
Tema e diskutimit do jete një iniciativë e përbashkët për ruajtjen e rajonit të Liqeneve te Prespës, qe shtrihet mes Greqisë, Shqipërisë dhe Maqedonise. Nuk dihet ende nëse do të bisedohet edhe për çështje të tjera të rëndësishme të tre vendeve.
Kryeministri i ri i Greqisë, Jorgo Papandreu, i cili fitoi bindshëm në zgjedhjet e fundit
eshte ndoshta politikani evropian që është shprehur më egër kundër një politikani të një vendi tjetër.
Papandreu e ka të vështirë të tejkalojë thirrjen e tij zyrtare në mes të Tiranës dhjetë vjet më parë për izolimin e Sali Berishës. Tashmë shumë gjëra kanë ndryshuar, por sidoqoftë akulli ende nuk është shkrirë.
Edhe pse deklarata e zotit Papandreu ka qenë police dhe e nxitur më shumë nga Tirana zyrtare e asaj kohe sesa nga politika zyrtare e Athinës, ajo sërish mbetet deklarata më e rëndë police që një lider evropian mund të bëjë kundër një politikani të një vendi fqinj, ndaj të cilit nuk ka një proces ligjor penalizues apo izolim ndërkombëtar.
Papandreu, i cili e bëri deklaratën e tij në hotel "Rogner" në Tiranë, ishte natyrisht i frymëzuar nga këshillat e liderëve socialistë të Tiranës, në atë kohë Nano dhe Meta, të cilët e shihnin izolimin e Berishës si një mënyrë që mund të ndalte protestat e tij të përditshme në rrugë.
Por tashmë kjo deklaratë do të ketë një kosto për marrëdhëniet e reja zyrtare mes Tiranës dhe Athinës. Nën kompleksin e inferioritetit ndaj Greqisë dhe pësimit politik prej saj, Berisha ka bërë për Greqinë më shumë se çdo lider tjetër socialist në Shqipëri, të cilët janë mbajtur si më "pro-grekë".
Ai u fali atyre një hapësirë të diskutueshme ujore, legalizoi pa nevojë dhjetëra varreza të ushtarëve grekë, që vizatojnë një vijë mitike nacionaliste të grekëve për Epirin e Veriut dhe po përpiqet të kontrollojë pakicën greke politikisht. Sigla e partisë së Berishës për herë të parë është votuar në Dropull në këto zgjedhje dhe kjo falë kandidatit të minoritetit, Spiro Ksera. Raportet personale të Berishës me Karamanlisin u thelluan dhe në aspektin diplomatik. Karamanlisi ishte i pari dhe mbeti i vetmi lider evropian që vizitoi Berishën në fushatë elektorale, dhe i dha mbështetje një veprimi thuajse NUL të Berishës për të dorëzuar aplikimin për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ndërkohë që atë javë BE deklaroi se përjashtonte Shqipërinë nga liberalizimi i vizave.
Pra, nëse Jorgo Papandreu do ta shikojë Berishën si politikan luajal, ai duhet të vijë dhe t'i hedhë duart në qafë në Tiranë, se askush më shumë se Berisha nuk ka bërë për të plotësuar çdo tekë të politikës greke, shpesh dhe arkaike, në Shqipëri. Por mes tyre mbetet e fortë hija e mosbesimit politik dhe përdorimi i Papandreut prej ish-liderëve socialistë kundër Berishës. Ndaj dhe porta për të hyrë sërish mbeten ata që e kanë armiqësuar me Berishën, Nano dhe Meta, tashmë aleatë të Berishës.
Edhe pse nuk e ka preokupim kryesor, Papandreut do t'i duhet të bëjë një gjest të shkrirjes së akujve me Berishën. Qeveria e Tiranës është shembulli që askush nuk turpërohet nga e kaluara e vet. Nuk dimë sa vlen kjo dhe për Athinën.