E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarandë; Kapen 3 trafikantë klandestinësh, po kalonin 7 vetë në Greqi

Kanë qenë vetëm dy persona në momentin e ndërhyrjes së policisë, por kjo e fundit e dinte mirë se pas tyre fshihej grupi që do të kalonte klandestinë për në Greqi. Dhe në të vërtetë, operacioni i koduar “Kthesa” i forcave të Policisë së Sarandës, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ka vënë në pranga tre udhërrëfyesit si dhe ka ndaluar shtatë personat e tjerë që kishin paguar nga 800 deri në 1500 euro për të përshkruar në këmbë në mënyrë klandestine kufirin për në shtetin fqinj, Greqi.

Lajmi është konfirmuar një ditë më parë nga burime të policisë lokale, sipas të cilave, në pranga janë vënë tre shtetas për akuzën e dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit. Sipas policisë, seksioni i Luftës kundër Krimit të Organizuar në komisariatin e policisë Sarandë ka zhvilluar operacionin e koduar “Kthesa” në vendin e quajtur kthesa e Xarrës. Në përfundim të operacionit u bë e mundur kapja në flagrancë e Lulëzim Xhemalajt, 32 vjeç, lindur dhe banues në Zarrë, Shpendi Zhupa, 28 vjeç, lindur dhe banues në Kopac të Delvinës, Vangjel Gorasi, 51 vjeç, lindur dhe banues në Mursi të Sarandës. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, të tre këta persona kanë konsumuar veprën penale të parashikuar nga neni 298/3 i Kodit Penal: “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror” për 7 shtetas të tjerë nga rrethe të ndryshme të vendit, duke i transportuar ata me furgon “Fiat Taliento” me targa LU 5523 B në pronësi të Vangjel Gorasit. Policia tha gjithashtu pas hetimeve të para se dy shtetasit e tjerë kalonin përpara për të siguruar dhe kontrolluar rrugën nga ndonjë kontroll policor.

Po kështu, policia tha se është zbuluar se të arrestuarit u kishin martë të shtatë shtetasve nga 800-1500 euro për person, shumë në varësi të largësisë së vendit ku do të shkonin. Të tre këta shtetas ndodhen në dhomat e paraburgimit të komisariatit të policisë së Sarandës, ndërsa materialet i kanë kaluar prokurorisë për hetime të mëtejshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›