E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas 56 vjetësh, investim për hidroizolimin e kalasë së qytetit

12/06/2009  Gjirokastër

Pas 56 vjetësh mungesë investimesh, më në fund është bërë e mundur që tarraca e kalasë shumëshekullore e qytetit të Gjirokastrës të hidroizolohet falë një fondi të akorduar nga Buxheti i Shtetit me vlerë 17.5 milion lekë të reja.

Prej vitesh godina trikatëshe, e cila qëndron në pjesën e djathtë të kalasë së qytetit, ka qenë e pambrojtur nga shirat dhe faktorët e tjerë atmosferikë, çka ka bërë që gati dy e treta e tarracës së saj të dalë jashtë përdorimit.

Drejtori i drejtorisë rajonale të trashëgimisë kulturore për Qarkun e Gjirokastrës, Spartak Drasa, ka pohuar se pas marrjes në administrim dy vjet më parë nga bashkia e qytetit te zyra e administrimit dhe koordinimit të qytetit-muze të Gjirokastrës, Buxheti i Shtetit ka akorduar një fond monetar me vlerë 17.5 milion lekë të reja për të hidroizoluar 5500 metra katrorë të tarracës së kalasë shumëshekullore. “Ky investim kryhet për herë të parë pas 56 vjetësh, pasi gjatë administrimit tarraca e kalasë ishte lënë në mëshirë të fatit për shkak të mungesës së investimeve”, - shprehet Drasa. Sipas tij, firma fituese e tenderit ka filluar rimbushjen e zonës së tarracës me material të padepërtueshëm nga uji të afro 5500 metrave katrorë të të gjithë mbulesës.

Drejtori i drejtorisë rajonale të trashëgimisë kulturore, Drasa, nënvizon se investimi do të shndërrojë në mënyrë perfekte pjesën e sipërme të godinës trikatëshe të kalasë, brenda të cilës ndodhen muzeu i armëve dhe galeria e artëve “Gjin Zenebishti”, duke evituar përfundimisht depërtimin e shiut në zonat më të frekuentuara të Kalasë së Gjirokastrës nga turistët e ndryshëm.

Sipas tij, krahas kësaj ndërhyrjeje pritet që fondi i dhënë të mjaftojë edhe për rehabilitimin e pjesës së sipërme të sahatit të kalasë, në të cilën nuk është vënë dorë qysh në vitin 1967.

Ndërkaq nga fondi i mirëmbajtjes që administrohet nga drejtoria rajonale e trashëgimisë kulturore për Qarkun e Gjirokastrës mendohet të ndërhyhet edhe në zonën karakteristike të qytetit. Këto investime do të përfundojnë para fillimit të festivalit folklorik mbarëkombëtar, që pritet të zhvillohet prej datës 24-29 shtator të këtij viti, në epiqendër të të cilit do të jetë kalaja e qytetit.

Kalaja shumëshekullore është ndërtuar mbi një shkëmb, që ka formën kurriz peshku dhe sundon me lartësinë e tij gjithë qytetin të gurtë. Ajo ka një planimetri në formë të çrregullt e të përzgjatur dhe mbrohet nga shtatë kulla, që kanë forma poligonale dhe trapezoidale, e cila përshkohet nga katër hyrje, prej të cilave tri kryesore dhe njëra e dorës së dytë. Kështjella e Gjirokastrës u pushtua nga Ali Pashë Tepelena në vitin 1812 dhe pas pesë vjetësh mori formën aktuale.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›