E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas dy vitesh e gjetën rrugën....!

Sinjalet e dhëna spontanisht nga mazhoranca dhe opozita në Shqipëri, se po nisnin deri diku një etapë të re, atë të bashkëpunimit për reformat e mëdha në vend, u konkretizuan sot.

Bisedimet e zhvilluara larg medieve dhe propozimet e opozitës të disa ditëve më parë, erdhën këtë të hënë me një rezultat konkret, ku në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve u miratuar me unanimitet tre pika, ku në përbërje janë reforma zgjedhore dhe ajo parlamentare si dhe miratimi i ligjeve që kërkojnë 3/5-t e votave të deputetëve në Kuvend.

Në konferencën e sotme morën pjesë kryetarët e grupeve parlamentare, nën/kryetarët e Parlamentit dhe Kryetarët e Komisioneve Parlamentare të të gjitha forcave politike.

Projektligjet me 3/5-t

Konferenca e Kryetarëve vendosi edhe për ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar në Kuvend. Në mbledhjen e sotme u vendos që këto ligje të kalojnë për rishqyrtim dhe miratim në Parlament në grupe, me kalendarë trejavor dhe në përputhje me rregulloren parlamentare.  Kështu për kalendarin e parë trejavor, 14 nëntor-7 dhjetor 2011, do të rishqyrtohen në komisione kodi hekurudhor, kodi ajror, kodi detar si dhe kodi rrugor.     
    
Konferenca e Kryetarëve kërkoi nga komisionet parlamentare përkatëse të marrin të gjitha masat për organizimin e kalendarit të veprimtarive për rishqyrtimin e projektligjeve, me qëllim përmbushjen e afateve të përcaktuara për shqyrtimin në seancë plenare.

 Ndërkohë, projektligjet e tjera të mbartura për rishqyrtim dhe miratim, do të përfshihen në programin e ri të punës së Kuvendit për sesionin e ardhshëm parlamentar, me synim që shqyrtimi dhe miratimi i tyre të përfundojë brenda muajit mars 2012.

Reforma zgjedhore

Konferenca e Kryetarëve miratoi kërkesën e firmosur nga dy kryetarët e Grupeve Parlamentare, z.Astrit Patozi dhe z.Gramoz Ruçi, për ngritjen e Komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore.

Projektvendimi konsensual për çështjen e reformës zgjedhore parashikon ngritjen e komisionit të posaçëm, i cili ka për detyrë hartimin e amendamenteve për kuadrin ligjor zgjedhor për trajtimin e rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR-t për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 dhe  ato lokale të vitit 2011.

Ky komision do të ushtrojë veprimtarinë e tij për një afat tremujorë dhe në përbërje do të ketë 10 anëtarë përfaqësues të partive parlamentare, 5 nga mazhoranca (2 PD, 1 LSI, 1 PR dhe 1 PDIU), dhe 5 nga opozita: (PS 4 anëtarë, PBDNJ 1 anëtar).  Sipas p/vendimit komisioni do të zhvillojë konsultime dhe seanca diskutimi me partitë politike jo parlamentare të interesuara për reformën zgjedhore, të cilat në zgjedhjet e fundit kanë marrë më shumë se 1% të votave në shkallë vendi, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile që kanë ekspertizë dhe eksperiencë në procesin zgjedhor.

Konsultime e dëgjesa publike do të zhvillohen me kërkesën e palëve edhe me përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, KQZ-së, si dhe institucione shtetërore që kanë rol në procesin zgjedhor.Komisioni do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë, një nga Partia Demokratike dhe një nga Partia Socialiste, ndërsa pranë tij do të ngrihet një grup ekspertësh teknikë. Për çështje të veçanta, për të cilat palët nuk gjejnë konsensus, do të kërkohet ekspertiza e OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.

Rishikimi i Rregullores së Kuvendit

Konferenca e Kryetarëve miratoi ne unanimitet ngritjen e grupit të punës për rishikimin e Rregullores së Kuvendit, duke marrë si model Rregulloren e Parlamentit Evropian.

Mazhoranca dhe opozita, vendosën gjithashtu edhe ngritjen e grupit të punës "Për rishikimin dhe përmirësimin e Rregullores së Kuvendit, duke marrë si model referimi rregulloren e Parlamentit Evropian dhe rekomandimet e Komisionit Evropian. Grupi i Punës do të përbëhet nga 4 anëtarë, 2 nga shumica dhe 2 nga opozita parlamentare.

Më datë 9 nëntor, Partia Socialiste depozitoi në Kuvend draftin e saj, ku ka dha në pika konkrete propozimet me kusht për të dhënë votën në Parlament. Drafti i është dorëzuar Ilir Rusmajlit, kryetarit të komisionit parlamentar të Ligjeve nga sekretari për Çështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj. Opozita, përveç pikave të propozimeve ka paraqitur edhe një kalendar të punës në komisionin e Ligjeve.

Topalli sot!

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në një konferencën të posaçme për shtyp, e vlerësoi si një ditë të veçantë për Parlamentin shqiptarë marrëveshjen e arritur. “Me miratimin unanim të Konferencës së Kryetarëve, sot është vendosur të nisë puna për zhbllokimin  e asaj situate që ka penguar për më shumë se dy vjet procesin e integrimit. Unë, të paktën sot, dua të harroj debatet e dy viteve dhe të përgëzoj partitë politike parlamentare për vendimet që kanë marrë sot në Konferencën e Kryetarëve. Sot, të gjitha palët kanë marrë përsipër përgjegjësinë që u takon”, theksoi Topalli.

Ajo tha se shpresonte që ligjet me 3/5-t të miratohen sipas kalendarit të miratuar sot në Konferencën e Kryetarëve. “Unë shpresoj shumë që ligjet që kërkojnë 3/5-at do të shqyrtohen me seriozitet dhe do miratohen sipas Kalendarit të miratuar nga Konferenca. Shpresoj dhe uroj që mirëkuptimi i arritur sot në Konferencë për ngritjen e Komisionit parlamentar për Reformën zgjedhore do të vazhdojë të jetë në themel të punës së këtij komisioni. Unë jam e  sigurt që ekspertët juristë të Kuvendit do të prodhojnë të gjitha draftet e nevojshme të Rregullores për ta çuar më tej konsolidimin e praktikave të demokracisë parlamentare.

Ajo shtoi se palët sot kanë marrë përsipër përgjegjësitë e duhura dhe se ky ishte një mesazh i mirë për Bashkimin Evropian. “Aktet e sotme të Konferencës së Kryetarëve janë një sinjal shumë i fortë dhe shumë i mirëpritur nga faktori ndërkombëtar, i cili ka qenë gjithë kohës në nxitje dhe mbështetje të këtij procesi. Jam shumë e lumtur për kompromisin parlamentar të arritur”, përfundoi.

Propozimet e opozitës (9 nëntor 2011)

Partia Socialiste, propozoi pesë ditë më parë të miratohet një komision ad-hoc të atashuar pranë komisionit të ligjeve i cili bazuar në kalendarin përkatës të miratuar nga komisioni i ligjeve të ndërtojë një proces intensiv pune për shqyrtimin e projektligjeve të propozuara dhe projektligjeve të reja që do të duhet të shqyrtohen në kuadrin e reformës në drejtësi edhe në reflektim të rekomandimeve të Opinionit dhe Raport Progresit të BE.

“Për organizimin e këtij procesi ne propozojmë që Komisioni ad-hoc të jetë me përbërje të barabartë të dy palëve duke pasur konsensusin si parim bazë të vendimmarrjes së tij bazuar edhe në përvojën e komisioneve ad-hoc të reformave zgjedhore”, thuhet më tej.

Në pikën 2 të propozimit, kërkohet të ndërtohet një proces efektiv përmes komisionit për Çështjet ligjore, Administratën publike dhe të Drejtat e Njeriut për shqyrtimin e projektligjeve të propozuara dhe projektligjeve të reja që do të duhet të shqyrtohen në kuadrin e reformës në drejtësi edhe në reflektim të rekomandimeve të Opinionit dhe Raport Progresit të BE.

 Në vijim të propozimeve, kërkohet që për secilin nga projektligjet të miratohen relatorët përgjegjës nga të dyja palët, ku të paraqitet plani i përbashkët për organizimin e procesit të shqyrtimit. Gjatë diskutimeve të kërkohet nëse institucionet e caktuar kanë ose jo propozime të reja, duke qenë se disa pr/ligje kanë një kohë të gjatë që qëndrojnë në Kuvend.

“Të sigurohet ekspertiza e kualifikuar ndërkombëtare përmes asistencës së misioneve të BE (Euralius), SHBA (OPDAT), USAID, OSBE etj që asistojnë aktualisht sistemin e drejtësisë ose nëse do të çmohet e domodoshme edhe ekspertë të thirrur rast pas rasti sipas interesit të çështjeve përkatëse”, kërkohet më tej.
/Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2011-11-14 14:31
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›