E Shtunë, 31 Tetor 2026

Regjistrimi mbi etninë, mund ta deformojë realitetin

Flasin ish-presidenti Rexhep Mejdani, Pëllumb Xhufi, Erjon Veliaj, Milva Ikonomi dhe Mentor Nazarko

Ish-presidentë, historianë, juristë, analistë dhe specialistë të fushave të statistikave në vend, janë deklaruar tanimë njëzëri se në Shqipëri populli nuk mund të regjistrohet në bazë të etnisë dhe fesë. Duke dhënë mendime nisur nga fushat për të cilat janë kompetentë, Rexhep Mejdani, Pëllumb Xhufi, Mentor Nazarko dhe Milva Ikonomi në një tryezë të organizuar nga Grupimi 99 dhe të moderuar nga kryetari Erjon Veliaj, shfaqen pikëpamjet e tyre për këtë vendim të qeverisë. Sipas Mejdanit, i cili ka qenë edhe President i Republikës në kohën kur ndodhi regjistrimi i popullsisë 9 vite më parë, ky proces nuk i shërben të vërtetës, përkundrazi ka shumë gjasa ta shtrembërojë atë. Historiani, njëkohësisht politikani Pëllumb Xhufi, shpjegon se regjistrimi me vetëdeklarim i është kërkuar tri herë Shqipërisë nga pala greke. Nga ana tjetër, ish-drejtoresha e INSTAT-it, Milva Ikonomi, thekson se në regjistrin kombëtar në vend është e vendosur edhe kombësia e qytetarëve të Shqipërisë dhe për këtë arsye nuk është e nevojshme ta përfshish këtë proces në regjistrimin e popullsisë.
Rexhep Mejdani
Në detyrën e Presidentit të Republikës në atë kohë, nuk kishte asnjë hezitim për heqjen e elementëve fetarë dhe etnikë nga regjistrimi për shumë arsye dhe për këto arsye unë gjykoj përsëri se regjistrimi i popullsisë mbi baza fetare dhe etnike nuk i shërben të vërtetës, por mund ta dëmtojë të vërtetën dhe ngre shqetësime jo vetëm mes shqiptarëve, por edhe me vendet fqinje. Në gjykimin tim, dy elementë, të paktën të deklaruar të regjistrimit, atë të përkatësisë etnike dhe atë të përkatësisë fetare, nuk duhet të ishin pjesë e procesit të regjistrimit dhe fatkeqësisht kur kjo kundërshtohet, konsiderohet si qëndrim kundër regjistrimit. Ne e mbështesim regjistrimin e popullsisë me të gjithë elementët e nevojshëm, por jo vetëdeklarimin mbi baza etnike dhe fetare. Por edhe aspekte të vetëdeklarimit për përkatësinë fetare, duket se do të krijojnë shqetësim. Në draftin që kemi pasur në dorë, alternativa 1 është mysliman syni, i dyti bektashi, i treti i krishterë ortodoks, i katërti i krishterë katolik dhe alternativa ku nuk ka asnjë besim fetar. Por mendoj se ky është një ngërç në vetvete, sepse çështja e besimit mund të lidhet me disa tregues të jashtëm, por kjo mund të jetë subjektive, si emri etj. Mund të lidhet me tradita familjare, por edhe me edukimin e individit. Nisur nga kjo, çështja e besimit nuk është e lidhur me origjinën me çdo kusht. Brenda familjeve tona, për sa i përket origjinës së përkatësisë fetare, ne kemi variacione. Për shembull në familjen time, si pasojë e emrit, mbiemrit dhe traditës, mund të karakterizohemi te kategoria e myslimanëve suni, nga ana tjetër, ime shoqe është e krishterë ortodokse. Problemi është te fëmijët. Ky lloj regjistrimi në vetvete nuk sjell ndonjë statistikë të nevojshme për shoqërinë. Nga ana tjetër, duke qenë se lidhet me faktorë subjektivë edhe përkatësia fetare është e varijueshme, mund të kalosh nga një pozicionim në tjetrin, apo nga një botëkuptim në një botëkuptim tjetër dhe si i tillë unë e gjykoj se nuk është element regjistrimi edhe nga pikëpamja e rrjedhshmërisë së kohës. Përkatësia fetare jo vetëm që nuk është e domosdoshme, por nuk i shërben as kohezionit në shoqërinë shqiptare. Aq më tepër që këto vite tranzicioni kanë prekur rëndë këtë kohezion të shoqërisë dhe kapitalin njerëzor brenda kësaj shoqërie. Për sa i përket elementit tjetër atë të përkatësisë etnike, alternativat janë: 1. shqiptarë, 2. grekë. 3. maqedonas, romë, malazezë, vlleh, egjiptianë dhe të tjera. Përmbajtja e deklarimeve duhet të jetë e dokumentuar, me regjistra dhe dokumente zyrtare dhe vetëm në raste të veçanta mund t’i shmangen realitetit. Atëherë si mund të pranohet një përkatësi etnike, pa u shoqëruar me dokumentet përkatëse të origjinës etnike? Për më tepër, në gjykimin tim dhe deklarimi do të jetë akoma më problematik dhe aspak realist kur ai përdoret për qëllime shoviniste, për qëllime politiko-ekonomike, etniko-territoriale etj. Sidomos kur popullsia shqiptare ndodhet në trysninë ekonomike dhe të lëvizjes së lirë. Parë në shumë plane, ashtu si 10 vite më parë, edhe sot unë mendoj se një regjistrim i tillë nuk i shërben të vërtetës, por jam i bindur se e deformon plotësisht atë. Problem më vete është edhe lista e përkatësive, mënyra si janë rreshtuar, sepse minoritet e njohura janë vetëm ato greke, maqedonase dhe rome. Për sa u përket të tjerave, ato janë copëza shumë të vogla pa ndonjë element të veçantë dhe nuk mund të kategorizohen te minoritetet. Shqipëria ka nevojë për konceptin e qytetarit të barabartë, ajo është në një proces integrimi, ku krahas kësaj, qytetarët shqiptarë do të marrin edhe përkatësinë europiane. Për këtë arsye, këto elemente nuk janë të nevojshme. Po kështu, kërrabat nacionaliste janë akoma prezente dhe të zhvilluara.
Pëllumb Xhufi
Unë parashikoj që në rast se një regjistrim i tillë do të ndiqte rrugën e tij të përcaktuar nga qeveria dhe dikush do ta ankimonte në Gjykatën Kushtetuese, atëherë edhe kjo nismë do të përfundonte si ato nismat e fundit të qeverisë. Sepse unë gjykoj që ky regjistrim bie në kundërshtim me ligjin e brendshëm dhe në radhë të parë me Kushtetutën e vendit, ka përplasje me nene të veçanta, por edhe me vetë frymën e saj. Kushtetuta e vendit tonë është shumë e përparuar. Ajo i jep një rëndësi të veçantë qytetarit, e cilëson atë si me të drejta të plota dhe nuk e diskriminon për arsye të besimit apo përkatësisë etnike. Kurse ky regjistrim bën të kundërtën, angazhon shtetin shqiptar të ndërmarrë ca standarde bizantin-otomane dhe jo europiane, duke i ndarë qytetarët. Ky regjistrim bie në kundërshtim edhe me ligjin ndërkombëtar, sepse ka një vendim të Strasburgut të vitit 1930, i cili thotë se ekzistenca e një minoriteti nuk është një çështje e së drejtës për të qenë i tillë, por është një çështje e faktit të të qenit i tillë. Pra je minoritar kur je i tillë, dhe jo kur zgjedh të jesh i tillë. Pra vetëdeklarimi në këtë pikëpamje është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Kjo bëhet me presion, është hera e tretë në historinë e shtetit shqiptar që Shqipërisë i kërkohet që të bëhet një regjistrim i popullsisë për të përcaktuar etnicitetin e saj në bazë të një vetëdeklarimi të thjeshtë. Dhe në të gjitha rastet kjo është kërkuar nga qeveria greke, sepse vetëm atyre ju intereson një statistikë e tillë në vendin tonë. Ne nuk na ka ndodhur ndonjë luftë, si Bosnja apo Kroacia. Në regjistrin tonë themeltar ekziston kombësia jonë, nëse ne na i kërkojnë organizatat e tjera ndërkombëtare, mund të bëhet një azhornim i atyre regjistrave. Një ndërmarrje e tillë, e bërë në mënyrë të papërgjegjshme nga qeveria shqiptare, e cila e bën këtë si premtim për palën greke, sigurisht është e destinuar të komprometojë marrëdhëniet tona me Greqinë, ashtu siç ndodhi me marrëveshjen e detit.
Mentor Nazarko
Fakti që ne po diskutojmë shumë për vështirësitë e këtij procesi, mendoj se vjen për shkak të faktit që nuk ekziston termi përkatësi etnike apo fetare. Ky përkufizim nuk ekziston as në konventat ndërkombëtare dhe as në ligjin shqiptar. Në momentin se nuk ka një term të tillë, a mund të besojmë ne te një ushtri regjistruesish për kompetencën e tyre për të nxjerrë përkatësinë etnike apo fetare tonën? Unë mendoj se ky është thelbi i problemit, unë nuk mendoj se mund t’i besojmë. Kjo nismë prek dhe dëmton në mënyrë të veçantë emigrantët, por edhe fëmijët. Te fëmijët, në mënyrë absolute nuk mund të përcaktohet përkatësia fetare dhe etnike, duhet ta përcaktoj nga ana e nënës, e babait apo nga vetëdeklarimi? Imagjinoni sesa efekte edhe statistikore ka ndërmarrja e një nisme të tillë. Me këtë nismë, Shqipëria i jep jetë konceptit juridik të përkatësisë etnike dhe fetare dhe kjo shkakton edhe dëm politik, që mund t’i sjellë asaj probleme edhe në marrëdhëniet rajonale. Po kështu, vetëdeklarimit i jepet një fuqi juridike, e cila është e paimagjinueshme.
Milva Ikonomi
Procesi i regjistrimit bëhet në kohë të ndryshme, sipas prioritetit që i jep një shtet. Në Shqipëri ky proces bëhet një herë në 10 vjet. Në 2001 u caktuan prioritetet e këtij regjistrimi dhe së pari ai ishte i nevojshëm për të përcaktuar popullin e vendit, duke u nisur nga fakti se në vend kishte pasur një fluks të madh migrator, si brenda, ashtu dhe jashtë vendit. Po kështu, ky regjistrim kërkohej edhe për procesin e votimeve dhe për probleme të tjera që kishte vendi, por edhe sistemi i adresave. Në atë kohë, problemet ekonomike në vend ishin të mëdha, dhe po kështu njerëzit kërkonin të lëviznin ta njihnin botën me çdo kusht. Nisur nga kjo, kur ne regjistrojmë karakteristikat e njerëzve, duhet t’i përdorim ato. Por a përbën ky informacion cilësi? Në përgjithësi ky është një informacion, cilësia e të cilit është e dyshimtë. Nëse është dyshuese, pse duhet të harxhojmë kaq shumë para për ta mbledhur? Po kështu, në momentin që ne marrim informacione që lidhen me individin, unë jap karakteristikat e mia. Por kur i jap ato, a jam e sigurt se kam një sistem, kam një ent apo agjenci, e cila m’i mbron këto të dhëna personale? Regjistrimi i kaluar është bërë mbi bazën e shumë donacioneve, mes tyre dhe ato franceze. Franca ishte një vend i cili vinte nga një eksperiencë shumë e hidhur, sepse aty ka pasur çifutë dhe karakteristikat e tyre ishin përcaktuar mbi një regjistër shumë të mirë. Por përgjatë Luftës së Dytë Botërore këtë informacion e mori Gjermania, e cila e përdori për të gjetur çifutët në Francë. Në momentin kur Shqipëria mendohej se duhet ta përfshinte apo jo fenë dhe etninë në regjistrim, dhe ne u këshilluam që të tërhiqeshim nga këto të dhëna, sepse duhet të kishim sigurinë e plotë për t’i marrë ato. çfarë ka ndryshuar nga 2001-shi në 2010-n? Unë mendoj asgjë. Dëshira jonë për të lëvizur jashtë territorit ende është shumë e madhe, po kështu dhe niveli ynë ekonomik me pak ndryshime, mbetet i njëjti. Po kështu ne rrethohemi në rajon nga shtete të cilat kanë probleme etnike mes tyre. Po kështu ne në vend kemi të ndërtuar regjistrin kombëtar të shtetasve dhe aty ne kemi shënuar dhe kombësinë e tyre. Pse nuk e nxjerrim këtë informacion nga regjistri nëse na duhet? Kjo është shumë e thjeshtë, është një veprim i cili bëhet edhe për 30 minuta, por nga ana tjetër vështirësi shumë të mëdha teknike ka regjistrimi i besimit fetar. Kjo për shkak se kemi tre gjenerata të cilat kanë pësuar ndryshime. E para është gjenerata e prindërve, të cilët nuk u mësuan të kishin ndonjë besim fetar, e dyta është gjenerata ime, e cila konsiderohet si e mesme, që u rrit si ateiste dhe e treta është gjenerata e fëmijëve të mi, e cila e zgjedh besimin fetar. Në këtë kuadër është tepër e vështirë të kuptosh çfarë përkatësie fetare ka një fëmijë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›