E Diel, 1 Nëntor 2026

Penalizohen 95 biznese të mëdha për kasat fiskale

04/06/2010 Bizneset: Distributorët kanë rritur çmimin

FIER- Drejtoria e Tatim–Taksave Fier ka penalizuar për herë të dytë 95 biznese të mëdha për mungesën e kasave fiskale. Edhe pse afati i fundit për pajisjen e kasave për biznesin e madh tashmë ka kaluar, rreth 10 për qind e tyre ende nuk i kishin instaluar. Këto biznese janë gjobitur një herë më parë në muajin shkurt, e më pas rigjobitur sërish gjatë muajit maj për të njëjtën arsye. Sipas bizneseve të penalizuar, faji vazhdon të jetë të distributorët dhe vetë shteti, i cili nuk kryen kontrollin e shitjes së kasave nga shoqëritë e autorizuara për shitjen e tyre. Distributorët vijojnë të abuzojnë me çmimin e kasave, duke e rritur atë deri në 40% më shumë se vlera reale. “Në muajin dhjetor, që ishte afati i fundit i pajisjes me kasat fiskale, çmimi i tyre ishte nga 350-400 euro, ndërsa çuditërisht nga muaji shkurt ky çmim është rritur vazhdimisht, duke variuar nga 600-700 euro. Kjo ka qenë arsyeja që ne nuk jemi pajisur deri tani. Na thonë që nuk ka kasa për momentin dhe pritet furnizimi, pasi janë nën dorë dhe kanë çmimin e lartë. Kështu ne kemi preferuar të presim ardhjen e kasave të reja”, thonë përfaqësuesit e bizneseve. Afati zyrtar për pajisjen me kasa fiskale ka qenë 31 dhjetori i vitit 2009, ndërkohë që në fillim të muajit janar vetëm 10 për qind e bizneseve ishte pajisur me to. Tashmë shqetësimi për pajisjen me kasat fiskale do të jetë edhe për biznesin e vogël, afati për të cilët do të jetë 30 qershori i vitit 2010. Aktualisht në Fier numërohen 970 biznese të mëdha, ku 95 prej tyre u bënë pjesë e ndëshkimit me gjoba që variojnë nga 25 mijë deri në 100 mijë lekë. Të dhënat që vijnë për pajisjen e biznesit të vogël me kasa fiskale janë tronditëse. Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga afati përfundimtar, mbi 80% e biznesit të vogël ende nuk e ka siguruar kasën fiskale që tashmë imponohet me ligj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›