Pensionohet Hyypia
Mbrojtësi i Bayer Leverkusenit, Sami Hyypia ka konfirmuar se do të pensionohet nga futbolli në fund të sezonit në Bundesligë. Ish ylli i Liverpoolit, i cili fitoi plot tituj gjatë aventurës së tij në Anfield Road, nga edicioni i ardhshëm do të merr një rol në stafin teknik në Leverkusen.
Hyypia ishte transferuar në Liverpool nga Willem II dhe me skuadrën nga Merseyside fitoi Ligën e Kampionëve, Kupën UEFA, dy FA Cup, dy League Cup dhe dy Superkupa të Evropës. 37 vjeçari gjatë këtij sezoni kishte shqyrtuar mundësinë e pensionimit, ndërsa tani ka vendosur se nuk dëshiron të vazhdojë më tutje.
“Vendimi im për pensionim më është shtuar gradualisht gjatë sezonit”, tha Hyypia për televizionin finlandez MTV3. “Nuk kam interesim të shkoj të luaj diku tjetër, nuk kam pendime. I falënderoj të gjithë ata që më kanë ndihmuar gjatë karrierës time si dhe familjarët, sepse pa ta dhe shoqërinë kjo nuk do të kishte qenë e mundur”, shtoi ai.
Sa i përket hapave të mëtutjeshëm, ai theksoi: “Do të jetë një vit interesant. Më duhet të marr licencën e trajnerit e më pas të fitoj përvojë në Leverkusen dhe në ekipin kombëtar të Finlandës. Jam i lumtur rreth kësaj. Të gjithë ata që më njohin e dinë se unë jap 100 për qind nga vetja në çdo angazhim”.