E Diel, 1 Nëntor 2026

Për trashëgiminë kulturore europiane

Me përkrahjen e Bashkësisë Europiane, respektivisht të Këshillit të Europës, Qendra Artpolis organizon për herë të dytë “Festimin e Ditëve të Trashëgimisë Kulturore Europiane 2011”. Manifestimi, që mbahet në dhjetë komuna të Kosovës, fillon më 17 shtator dhe përfundon më 3 tetor. Nga Albana S. Muja më 01 shtator 2011 në ora 12:20

Është ky viti i dytë që nëpër qendrat e ndryshme të Kosovës organizohet Festimi i Ditëve të Trashëgimisë Kulturore Europiane. Sivjet, megjithatë, duket të ketë një përkushtim më të madh nga ana e Qendrës Artpolis, e cila, me përkrahjen e Bashkësisë Europiane/Këshillit të Europës, është organizatore e manifestimit që sivjet organizohet në 10 komuna/lokalitete të Kosovës. Manifestimi fillon më 17 shtator dhe përfundon më 3 tetor.

Drejtuesja e Qendrës Artpolis, Zana Hoxha, pohon se sikurse vitin e kaluar edhe këtë vit do të organizohet autobusi i trashëgimisë kulturore europiane.

“Pjesë e autobusit janë shfaqjet teatrore dhe forum teatri. Pra, publiku do të ketë mundësi jo vetëm të shoh shfaqjen po edhe të marr pjesë në shfaqje. Pastaj do të kemi edhe muzikë të gjallë, muzikë tradicionale, e bashkë me ne do të jenë edhe tre mjeshtër të artizanateve, të cilët janë pjesë e trashëgimisë sonë kulturore”, sqaron Hoxha.

Shfaqjet do të fokusohen në përdorimin e historisë së folur (tregimeve popullore), traditave kombëtare (kostumet) dhe të muzikës, si pjesë e festimeve dhe traditave.
Ndryshe, aktivitetet do të organizohen nëpër sheshe të qyteteve të ndryshme kosovare, si në Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Deçan, Gjakovë, Kamenicë, Rahovec, ndërkohë që Gheto grupi teatror aktivitetet e veta do t’i shfaqë në Kamenicë, Graçanicë dhe në Gorazhdec. Në mesin e këtyre aktiviteteve bëjnë pjesë: shfaqje, forume-teatri, muzikë e gjallë, ekspozita të fotografive, prezantime të mjeshtërive artizanale, ushqim tradicional falas, etj.

Hoxha pohon se në këto aktivitete do të angazhohen edhe vullnetarë të rinj, të cilët do të përfshihen në animimin e lojërave të ndryshme me fëmijë. Gjithashtu, pjesë e aktiviteteve do të jetë edhe një ekspozitë e fotografive të vendeve të rëndësishme të trashëgimisë kulturore europiane, e cila nuk mungoi as vitin e kaluar, megjithëse atëherë ajo bazohej në trashëgiminë kulturore të vendit.

I tërë ky aktivitet në një lokacion të caktuar do të zgjasë 4-6 orë.

“Është kjo një festë e trashëgimisë kulturore kosovare, si pjesë e trashëgimisë kulturore europiane. E, kjo edhe është pak a shumë ideja kryesore e këtij aktiviteti”, shprehet Hoxha. Ajo po ashtu sqaron se ky vit do të jetë më ndryshe, sepse aktiviteti do të zgjas më shumë. Sipas saj, kohëzgjatja e një aktiviteti është dyfishuar, kështu që tani është gjashtë orë, sepse janë dyfishuar edhe vetë aktivitetet. Natyrisht, sipas Hoxhës, si pjesë e aktiviteteve nuk do të mungojë as ushqimi tradicional, i cili do t’iu shpërndahet falas pjesëmarrësve, në secilin vend ku do të shkohet.

Ekipi që do të jetë pjesë e aktiviteteve të sivjetme do të përbëhet nga rreth 40 pjesëmarrës, të cilët do të jenë pjesë e organizimeve të ndryshme nëpër sheshe të qyteteve kosovare.

Sipas Hoxhës, qysh tani është vërejtur interesimi i të rinjve për të qenë pjesë e këtij aktiviteti, ndërkohë që Qendra Artpolis është munduar të bëjë një klasifikim sa më të mirë gjatë përzgjedhjes së të rinjve nga rrjetet sociale.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›