Perisicit, 27 vjet të buta
Tribunali i Hagës i ka shqiptuar të martën ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, Momcilo Perisic, dënimin prej 27 vitesh burgim.
Trupi gjykues i Tribunalit e ka shpallur Perisicin (67) fajtor për ofrimin e ndihmës dhe për mbështetjen e sulmeve artilierike dhe me snajperë ndaj cilëve në Sarajevë, nga pozicionet e ushtrisë së Republika Srpska’s (VRS), mes viteve 1993-1995; për vrasjen e 7,000 myslimanëve dhe deportimin e banorëve të Srebrenicës, në korrik të vitit 1995; dhe për sulmet raketore kundër Zagrebit nga pozicionet e forcave të armatosura të Republika Srpska Krajina (RSK), në maj të vitit 1995.
Sipas aktgjykimit, Perisic u ka dhënë forcave ushtarake serbe në Kroaci dhe BeH mbështetjen kryesore logjistike dhe personale, megjithëse e ka ditur se ato gjatë operacioneve të tyre kanë kryer krime të rënda kundër civilëve.
Gjykimi i gjeneralit serb, Momcilo Perisic, në Tribunalin e Hagës ka filluar më 2 tetor 2009, ndërkohë që shpalosjen e dëshmive prokurorët e kanë përfunduar në dhjetor të vitit 2009. Procedura dëshmuese e mbrojtjes ka përfunduar më 11 janar të vitit 2011, ndërsa fjalët përfundimtare janë dëgjuar në fund të muajit mars.
Më 7 mars të vitit 2005, gjenerali Perisic ishte dorëzuar vullnetarisht në Tribunalin e Hagës. Ishte kjo dita kur edhe ishte zbardhur aktakuza kundër tij. Dy ditë më vonë, gjatë paraqitjes së parë të tij para gjykatësit në Hagë, Perisic ishte deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.