E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja për gjakmarrje, familjet kishin bërë pakt më parë

14/06/2011  Asnjë nga anëtarët s’duhet të kalonte në fshatin e familjes në gjak, viktima “e theu”

MALLAKASTER- Përcillet për në banesën e fundit viktima e djeshme e fshatit Pocem. Vetëm pak orë nga çasti i vrasjes dhe të dyja familjet të shpallura tashmë në hasmëri kanë qarë për të ikurit e tyre. Kjo ngjarje duket se ka rënduar jo vetëm anëtarët brenda dy familjeve Merkaj e Malaj, por edhe nipër e kushërinj të fisit. Nuk dihet ende nëse kjo “lojë” e rrezikshme hasmërie e lindur në zemër të Mallakastrës, do të mbyllet këtu apo do të vazhdojë duke kositur jetët e anëtarëve të fiseve.

Pakti mes familjeve

Ish-polici Aqeri Merkaj, pasi i kishte bërë të ditur palës vrasëse të babait të tij, se gjaku ishte i falur për shkak edhe të lidhjeve miqësore që kishin, vetëm me kushtin që asnjë nga fisi i tyre të mos dukej në anët e familjarëve të viktimës së 2009. Ky pakt verbal mesa duket zgjati vetëm dy vjet. Ditën e djeshme, viktima që është vëllai i autorit të vrasjes së Aliko Malajt, babait të Asqeriut, ka shëtitur qetë përpara lokalit të Lefterit në Pocem. Kjo sjellje e ka bërë Lefterin që mendja t’i shkojë larg, të kujtoj të atin që mbeti i vrarë për një copë toke në arat e Pocemit. Nuk i është dashur më shumë për ta çuar drejt veprës penale Lefter Malajn. Aliko Malaj, 69-vjeçar babai i autorit është vrarë në vitin 2009 nga Përparim Merkaj, vëllai i viktimës së djeshme, Asqeriut. Aliko Malaj dhe Përparim Merkaj, viktima dhe vrasësi në ngjarjen e para dy vjetëve, kishin gra dy kushërira të para, vajza tezesh. Përparim Merkaj, pasi vrau në 2009, vazhdon të vuajë dënimin në qelitë e burgut në Rrogozhinë.

Familjet

Ndërkohë ende nuk ka sinjale nga fiset. Në lëvizje po vihen pleqësitë e fshatrave Pocem e Drizar, nga ishin palët e përfshira me origjinë. Më të moshuarit pritet të ngrenë një komision që do të mbledhë në një tryezë më të moshuarit e fiseve. Ky hap pritet të parandalojë një vazhdim të mundshëm të etjes që lindi mes fiseve për të marrë hak dhe larë gjakun e të afërmve të tyre. Fiset në fjalë njihen si fise të nderuara në krahinën e Mallakastrës dhe si të tilla do t’u kërkohet të ndalin “luftën” që po shuan fiset. Nesër pritet të dalë përpara togave të zeza për masën e arrestit autori i vrasjes së djeshme Lefter Malaj. Ky i fundit ka punuar rreth 7 vjet si polic në radhët e Policisë së Shtetit, komisariati i Mallakastrës, ndërsa dy vitet e fundit ishte shkëputur dhe merrej me një rrjet biznesesh në Pocem (lokal) dhe në Ballsh (dyqan shumice).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›