E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trajnohen për Kodin e Etikës 442 policë burgjesh

30/03/2009  Rreth 75% e programit ishin tema të specialitetit të policisë dhe 30% për ligjshmërinë

Në kurse përveç punonjësve të rolit bazë ishin edhe oficerët

TIRANË- Për Kodin e Etikës në detyrë janë trajnuar 442 punonjës të policisë së burgjeve. Drejtoria e përgjithshme e Burgjeve ka marrë përsipër të trajnojë të gjithë ata punonjës policie, të cilët futen në radhët e burgjeve, me qëllim rritjen e përgjegjshmërisë. Prej disa kohësh kjo drejtori ka hapur kurse të veçanta për trajnim, të cilat bëhen nga specialist të fushave përkatëse. Kjo gjë bëhet për të përmbushur objektivat kryesore që lidhen me rritjen e aftësive profesionale të stafit nëpërmjet organizimit të trajnimeve për punonjësit e saj. Statistikat tregojnë se herë pas here janë bërë trajnime duke e mbyllur këtë cikël aktualisht për policët e burgjeve. Tema kryesore ku është përqendruar trajnimi ka të bëjë me Kodin e Etikës ose Kodin e Sjelljes së Punonjësve në Sistemin e Burgjeve. Policët janë trajnuar për mënyrën praktike të zbatimit të rregullave të sjelljes dhe është ndjekur zbatimi i tyre në punën e përditshme. Kodi i Sjelljes së Punonjësve të Sistemit të Burgjeve është vendosur si temë e veçantë në të gjitha programet trajnuese me punonjësit e Policisë së Burgjeve. Burime nga burgjet bëjnë të ditur se muajt e fundit me financim të Komisionit Evropian u hapën tre institucione të reja penitenciare. Pas hapjes së këtyre institucioneve të vuajtjes së dënimeve penale u pa e domosdoshme trajnimi i gjithanshëm i punonjësve të Policisë së Burgjeve në çështjet e të drejtave të njeriut dhe trajtimit të paraburgosurve e të dënuarve. U trajnuan të gjithë kandidatët për punësim në IEVP e Vlorës dhe Fushë-Krujës dhe përfunduan katër kurse dyjavore me punonjësit e rolit bazë të policisë në IEVP e re në Korçë. Numri i punonjësve të trajnuar në të gjitha IEVP arrin në 442. Në kurse nuk kanë shkuar vetëm punonjësit e rolit bazë, por edhe ata të rolit të mesëm ku futen oficerët. Bëhet e ditur se punonjësit e rolit të mesëm, të cilët janë trajnuar kapin numrin 62. Burime nga burgjet bëjnë të ditur se ky është një element i ri i futur së fundmi. Po kështu burimet theksojnë se trajnime do të ketë edhe për punonjësit social e psikolog, të cilët punojnë në institucione të ndryshme. Në kurset e zhvilluara me punonjësit e rolit bazë janë trajtuar rreth 40 tema të ndryshme për çdo kurs. Nga këto rreth 75% e programit kanë qenë tema të specialitetit të policisë dhe 30% të temave nga ligjshmëria, sociologjia, psikologjia dhe shëndetësia. Nga ligjshmëria janë trajtuar temat: Aktet ligjore e nënligjore që normojnë punën në burgje e paraburgime, ligji i policisë së burgjeve, ligji mbi të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve dhe paraburgosurve, etj.

Temat sociale

Ndërsa nga sociologjia dhe psikologjia ishin temat: Komunikimi, mënyrat e komunikimit dhe rëndësia e tij, stresi dhe përshtatja e punonjësit të policisë ndaj tij,

efektet dëmprurëse të përdorimit të dhunës psikike dhe forcës fizike në burg, të drejtat dhe trajtimi i të dënuarve dhe paraburgosurve, konfliktet, parandalimi dhe mënyrat e zgjidhjes së tyre, Kodi i Sjelljes së Punonjësit të Burgjeve. Janë ilustruar me shembuj praktika e punës në burgje.

Të drejtat e policisë

Policët e burgjeve gjithashtu duhet të njohin shumë mirë edhe të drejtat dhe detyrimet që kanë në punë. Ata duhet të dinë dhe respektojnë shumë mirë hierarkinë, disiplinën. Ruajtja perimetrike e burgut, organizmi i shërbimit të brendshëm në burg, marrja, kryerja dhe dorëzimi i shërbimit, kontrolli trupor dhe i ambienteve të dënuarve, sendet e ndaluara në burg, armatimi dhe mjetet që përdor Policia e Burgjeve, ngjarjet e jashtëzakonshme në burgje. Shoqërimi i të dënuarve gjatë transferimeve, gjykatë, spital dhe në lejet e veçanta.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›