Pesë të ndaluar për drogë, mes tyre nënë e bijë
Bie në prangat e Policisë së Beratit një rrjet trafikantësh heroine. Mes të ndaluarve të policisë janë edhe dy femra, nënë e bijë, të cilat janë arrestuar në autobusin e linjës Tiranë-Berat. Burime të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Berat bëjnë me dije se pas një pune disamujore është bërë e mundur zbulimi dhe ndalimi në flagrancë i pesë personave që tregtonin lëndë narkotike, kryesisht të llojit heroinë. Operacioni i koduar “Punto 2” është kryer mbrëmjen vonë të së shtunës, rreth orës 21.00 dhe është finalizuar me vënien në pranga të pesë personave dhe shpalljen në kërkim edhe të një tjetri.
OperacioniMbrëmjen vonë të së shtunës, uniformat blu kanë ndaluar autobusin interurban që vinte nga kryeqyteti për në Berat në vendin e quajtur Kombinat. Gjatë kontrollit të ushtruar, policia ka gjetur në çantën e 26-vjeçares G.Saraçi 70 doza heroinë. E reja udhëtonte bashkë me të ëmën dhe vinin nga Durrësi, ku kishin marrë dhe “furnizimin”. Burime zyrtare të Policisë Beratit bëjnë me dije se pas ndalimit të G dhe Ll.Saraçit, përkatësisht 26 dhe 51 vjeç, nga ana e strukturave të seksionit kundër narkotikëve pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Beratit është bërë i mundur ndalimi i tre personave të tjerë. Të njëjtat burime saktësojnë se është ndaluar djali i Ll. Saraçit, Toneti, 28 vjeç, Oltjon Marini, 31 vjeç, si dhe Marko Bajaziti, 29 vjeç. Të gjithë të ndaluarit janë banorë të qytetit të Beratit, ndërkohë që është shpallur në kërkim policor Dritan Memolla, banues në Spitallë të Durrësit. Të gjashtë këta persona akuzohen se prej kohësh ishin pjesë e një trafiku droge që vepronte në qytetin e Beratit. Droga kishte për origjinë qytetin e Durrësit dhe tregtohej kryesisht në lokalet e qytetit të Beratit. Fillimisht janë ndaluar dy femrat dhe më pas është bërë i mundur ndalimi i tre pjesëtarëve të tjerë të rrjetit. Përveç sasisë së drogës, policia bllokoi në cilësinë e provës materiale 11570 lekë dhe pesë telefona celularë.
HetimetHetimet për zbulimin e rrjetit të trafikantëve të drogës kanë nisur rreth dy muaj më parë nga Prokuroria e Rrethit të Beratit. Organi i akuzës së Beratit, në bashkëpunim me sektorin e antidrogës në Drejtorinë e Policisë, nëpërmjet metodave speciale kanë mundur të zbulojnë rrjetin e trafikantëve. Më pas, kur kanë mundur të mbledhin fakte të pakundërshtueshme është urdhëruar ndalimi i pesë pjesëtarëve të këtij rrjeti që vepronte prej disa muajsh në Berat. Ndërkohë, materialet e kësaj çështje i kanë kaluar prokurorisë së rrethit për hetime të mëtejshme, ndërkohë që pesë të ndaluarit do të përballen me veprën penale të “prodhimit dhe të shitjes së lëndëve narkotike”.
#