Petroviç: Ndarja e Kosovës, nuk do të zgjidhte problemet
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Sllobodan Petroviç ka deklaruar se ndarja e Kosovës, nuk është zgjidhje e mirë që mundëson zgjidhjen e problemeve. Sipas tij, perspektiva e vetme është integrimi evropian i Serbisë dhe Kosovës.
“Ne kemi deklaruar se ndarja e Kosovës do të sillte më shumë dëme se dobi. Të gjithë ne duhet të angazhohemi për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh se në cilën pjesë të Kosovës jetojnë. Kjo është edhe sfida më e madhe e kësaj qeverie. Ne jemi duke punuar në këtë drejtim, ndonëse me siguri që nuk është lehtë. Deklaratat për ndarjen edhe më shumë destabilizojnë gjendjen. Në mungesë të ideve progresive për përmirësimin e gjendjes për të gjithë qytetarët dhe integrime më të shpjeta në Bashkimin Evropian, disa politikanë kanë dhënë deklarata të këtilla dhe e kanë zhvendosur vëmendjen nga temat më të rëndësishme”, u shpreh ai, për të shtuar se sfida më e madhe e Kosovës dhe rajonit është përmirësimi i kushteve ekonomike dhe intgrimi evropian e evroatlantik.
Në një intervistë për “DW”, Petroviç shprehu mirënjohje për të gjithë ata, që kanë kontribuar në qetësimin e gjendjes në veri të Kosovës. “Roli i Beogradit në këtë rast ka qenë i rëndësishëm dhe pres që Beogradi të luajë një rol konstruktiv. Shpresoj se do të arrihet zgjidhje përfundimtare ku të respektohen rendi dhe ligji dhe e cila do të ishte në interesin e të gjithë qytetarëve në Kosovë”, vlerësoi ai.
Duke u ndalur tek njohja e Kosovës nga Seria ai ka theksuar se nga Bruskeli është thënë shpesh se njohja e Kosovës nuk është kusht për integrim në BE, por kusht është vendosja e raporteve më të mira të mundshme.
“Qytetarët e Kosovës dhe rajonit janë të ngopur me konfrontime dhe raporte të tendosura. Ajo që plotësisht është e sigurt është, se rruga drejt integrimeve evropiane është shumë më e shpejtë dhe efikase, nëse shkojmë së bashku në këtë rrugë. Ky është obligimi i të gjitha qeverive dhe institucioneve në rajon. Ne në të kaluarën kemi humbur tepër kohë dhe tani kemi nevojë për rezultate të jashtëzakonshme për të kompenzuar këtë kohë”, thekson Petroviç.
Sipas tij, vetëm me këtë rrugë mund të pritet një e ardhme më e mirë dhe e sigurt e qytetarëve në këto hapësira.