Pika turistike e Razmës thahet për ujë
Në një kohë kur turistët e huaj po preferojnë gjithmonë e më tepër zonat turistike malore të Shkodrës për të pushuar, kushtet që ofrojnë këto pika turistike lënë shumë për të dëshiruar. Konkretisht, mungesa e ujit të pijshëm në pikën turistike të Razmës ka bërë që kjo zonë ta ndiejë mungesën e turistëve të huaj.
Pozicioni gjeografikMe bukuritë natyrore dhe peizazhin e mrekullueshëm fillon të takohesh sapo lë Komunën e Kastratit në Malësinë e Madhe. Duke iu ngjitur rrugës malore të Razmës, që për fat të mirë është e gjitha e asfaltuar, shumë afër të shoqërojnë pemët e larta. Razma ndodhet rrëzë malit të Veleçikut, vetëm 27 km nga Shkodra, po aq sa është larg nga qyteti i Shkodrës dhe plazhi i Velipojës. Lartësia 1200 m mbi nivelin e detit, ajri i pastër dhe kurativ, bukuria e rrallë natyrore e kësaj zone, e ka shndërruar në nga pikat më të bukura turistike malore të vendit. Me një sipërfaqe prej 1500 ha, e pasur me pemë të larta, pyje të pishës dhe ahut, ka bërë që kjo zonë të zotërojë potenciale të mëdha për zhvillimin e turizmit, në veçanti të atij alpin.
ProblematikaNë pamje të parë duket sikur gjithçka është në rregull, nuk ka nevojë për asgjë. Por ndërsa kontakton me banorë të zonës, kupton se dhe këtu është një pjesë e Shqipërisë me halle. Sipas banorëve, më problematike mbetet mungesa e ujit të pijshëm, sidomos gjatë sezonit të verës, gjë që largon turistët. Për këtë problem, drejtues të Komunës së Kastratit, që mbulon dhe zonën e Razmës, shprehen se Razma është një zonë me burime të pakta ujore në krahasim me zonat e tjera turistike si Boga, Thethi, Vermoshi dhe kjo shkakton dhe mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm gjatë stinës së verës.
#