E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pirro Çako i thotë stop ndarjes me Inva Mulën

03/06/2009  Avokatja e Pirro Çakos ka argumentuar se kërkesa për divorc nuk është e plotë

TIRANË- Sopranoja e mirënjohur me famë botërore Inva Mula e kishte menduar të lehtë ndarjen me burrin e saj, këngëtarin dhe kantautorin Pirro Çako, por ky i fundit po kundërshton me çdo kusht divorcin e tij. Seanca e djeshme gjyqësore për divorcin e çiftit Inva Mula-Pirro Çako është shoqëruar dje me debate mes palëve. Avokatja e Pirro Çakos, Olta Kotherja i ka sqaruar në fillim gjykatëses së çështjes se kërkesa civile e dorëzuar nga ana e palës paditëse nuk ka qenë e plotë. Sipas mbrojtjes në këtë padi nuk ishte vendosur diapozitivi i saktë për të cilën kërkohej ndarja. Mbrojtja ka argumentuar se të dyja palët kishin rënë vetë dakord që të jetonin të ndarë dhe kjo gjë nuk thuhej në kërkesën e dorëzuar për divorc. Por pretendimi i mbrojtjes është hedhur poshtë nga ana e mbrojtësit të Inva Mulës, i cili ka shpjeguar se diapozitivi është shumë i saktë dhe përmban gjithçka. Pas debateve për rregullim të kërkesës së dorëzuar në gjykatën e Tiranës për divorc, gjyqtarja e çështjes Elona Gjoka ka vendosur që seanca të vazhdojë me deklarimet e palës paditëse. Gjatë deklarimeve të tij avokati Sokol Çomo ka shpjeguar se Pirro kishte pasur kohë që prej vitit 2007 që të vendoste në lidhje me divorcin e tij. Po ashtu sipas mbrojtësit kusht për ndarjen ka qenë pikërisht largësia mes tyre dhe mosfrekuentimi për një kohë të gjatë. Pretendimet e mbrojtësit Çomo janë hedhur poshtë nga ana e avokates Kotherja. Kjo e fundit ka shpjeguar për gjykatën se edhe pse jetonin të ndarë prej disa kohësh sopranoja me famë botërore dhe bashkëshorti i saj, ishin takuar disa herë. Dy raste janë përmendur dje në gjykatën e Tiranës mbi takimet e zhvilluara mes çiftit në prag divorci. Takimi i parë ka qenë përcjellja e djalit të tyre, Anthony, në aeroport nga ana e Pirros, pasi ai jeton me Inva Mulën në Francë. Ndërsa rasti i dytë sipas avokates ka qenë në ditëlindjen e të ëmës së Pirros, ku çifti kishte ndenjur gjatë gjithë kohës bashkë. Por ky fakt për avokatin e Mulës nuk përbënte asgjë, pasi në argumentet e dhëna avokati Çomo ka shpjeguar se gjithçka ka qenë për një formalitet nga ana e tyre, por jo se frekuentohen së bashku. Seanca gjyqësore është shtyrë për të marrë në pyetje mbrojtësin e Mulës në lidhje me pretendimet e tyre për divorcin. Seanca do të zhvillohet këtë të premte në gjykatën e Tiranës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›