Pirro Çako refuzon ndarjen nga Inva Mula
Kantautori Pirro Çako refuzon ndarjen me gruan e tij, sopranon e njohur, Inva Mula. Seanca e djeshme ka vijuar me debate mes palëve, të përfaqësuara nga avokatët përkatës. Duket se ndarja mes tyre nuk do jetë e lehtë. Avokatja e Pirros, Olta Kotherja, i ka sqaruar në fillim gjykatëses së çështjes se kërkesa civile e dorëzuar nga ana e palës paditëse nuk ka qenë e plotë. Sipas mbrojtjes, në këtë padi nuk ishte vendosur diapozitivi i saktë për të cilën kërkohej ndarja. Mbrojtja ka argumentuar se të dyja palët kishin rënë vetë dakord që të jetonin të ndarë, dhe kjo gjë nuk thuhej në kërkesën e dorëzuar për divorc. Por, pretendimi i mbrojtjes është hedhur poshtë nga ana e mbrojtësit të Inva Mulës, i cili ka shpjeguar se dispozitivi është shumë i saktë dhe përmban gjithçka. Pas debateve për rregullim të kërkesës së dorëzuar në Gjykatën e Tiranës për divorc, gjyqtarja e çështjes, Elona Gjoka, ka vendosur që seanca të vazhdojë me deklarimet e palës paditëse. Gjatë deklarimeve të tij, avokati Sokol Çomo ka shpjeguar se Pirro kishte pasur kohë që prej vitit 2007 që të vendoste në lidhje me divorcin e tij. Po ashtu, sipas mbrojtësit, kusht për ndarjen ka qenë pikërisht largësia mes tyre dhe mosfrekuentimi për një kohë të gjatë. Pretendimet e mbrojtësit Çomo janë hedhur poshtë nga ana e avokates Kotherja. Kjo e fundit ka shpjeguar gjykatën se edhe pse jetonin të ndarë prej disa kohësh, sopranoja me famë botërore dhe bashkëshorti i saj ishin takuar disa herë. Dy raste janë përmendur dje në Gjykatën e Tiranës mbi takimet e zhvilluara mes çiftit në prag divorci. Takimi i parë ka qenë përcjellja e djalit të tyre, Anthony, në aeroport nga ana e Pirros, pasi ai jeton me Inva Mulën në Francë. Ndërsa rasti i dytë, sipas avokates, ka qenë në ditëlindjen e të ëmës së Pirros, ku çifti kishte ndenjur gjatë gjithë kohës bashkë. Por ky fakt për avokatin e Mulës nuk përbënte asgjë, pasi në argumentet e dhëna, avokati Çomo ka shpjeguar se gjithçka ka qenë për një formalitet nga ana e tyre, por jo se frekuentohen së bashku. Seanca gjyqësore është shtyrë për të marrë në pyetje mbrojtësin e Mulës në lidhje me pretendimet e tyre për divorcin. Seanca do të zhvillohet këtë të premte në Gjykatën e Tiranës.