Tragjedia e "pallatit" të Gjirokastrës në gjyq 7 të pandehur
TRAGJEDIA
TIRANË- Prokurorisë së Gjirokastrës iu deshën 4 muaj kohë për të përfunduar fazën hetimore dhe për ta dorëzuar dosjen penale me 7 të pandehur në Gjykatë për tragjedinë e shembjes së pallatit pesë katesh ku mbetën të vdekur tre persona dhe u plagosën disa të tjerë.
Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët theksuan se me mbarimin fazës hetimore është provuar dhe faktuar se 7 të pandehur me veprimet dhe mos veprimet e tyre janë përgjegjës për shembjen e pallatit pesë katesh në lagjen "11 janari" në Gjirokastër.
Sipas kërkesës për gjykim, të pandehurit e kësaj dosje janë, pesë zyrtar shtetërore, Admir Shehaj, Alfred Mamani, Aferdita Papamihali, Petrit Maksuti dhe Leonard Mustafaraj, president i firmës "Arti sh.p.k" i pandehuri Sotiraq Janora dhe inxhinieri zbatues i kësaj firme që po kryente punimet ngjitur me pallatin e shembur, Gjergji Meçe.
"Nga hetimet katër mujore të çështjes, është provuar se të shtatë të pandehurit e kësaj dosje, në kohë e veprime dhe mos veprime të ndryshme kanë konsumuar elementë të veprës penale të "vrasjes në rrethana cilësuese" në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, "shkatërrimit të pronës me dashje" dhe "shpërdorimit të detyrës" në bashkëpunim"-thuhet në kërkesën për gjykim.
Sipas këtyre burimeve, i pandehuri Sotira Janora, me detyrën e presidentit të firmës "Arti sh.p.k", është i vetmi nga të pandehurit që ka konsumuar veprën penale të "vrasjes" dhe "shkatërrimit të pronës", dhe nëse deklarohet fajtor rrezikon dënimin nga 25 vjet burg deri në burgim të përjetshëm. Ndërkohë, ndaj të pandehurve të tjerë:
Shehaj, Mamani, Papamihali, Maksuti, Mustafaraj dhe inxhinierit Meçe rëndojnë akuzat e "shpërdorimit të detyrës". Mësohet se nga shtatë të pandehurit, vetëm katër prej tyre ndodhen në qelit e paraburgimit me masën e sigurisë "arrest me burg" dhe ata janë, Shehaj, Mamani, Meçe dhe Janora, dy prej të pandehurve Maksuti e Mustafaraj janë hetuar e do të gjykohen në gjendje të lirë ndërsa e pandehura Papamihali me vendim të Gjykatës së Lartë ndodhet në "arrest shtëpie".
Sipas kërkesës për gjykim, ka qenë pasditja e datës 9 nëntor të vitit 2008, ku nga gërryerja e dheut anash pallatit 5-katesh, ku po hapej gropa për ndërtimin e një pallati të ri, nuk janë marr masat për forcimin e kësaj pjese me beton dhe hekur, që ka bërë rrëshqitjen e dheut.
Nga rrëshqitja e dheut janë përshirë edhe themelet e pallatit që ka dërguar në shembjen e gjysmës së saj, duke zënë poshtë gërmadhave tre persona, të cilët kanë gjetur vdekjen, Parashqevi Zoto, 68 vjeçe, Valbona Dalani, 35 vjeçe dhe Anxhela Dalani, 12 vjeçe, dy të fundit nënë e bijë. Ndërsa, si pasoj e kësaj rrëshqitje që solli shembjen e pallatit janë plagosur disa të tjerë dhe është shkaktuar një dëm i madh material, në shkatërrimin e banesave të 30 familjeve që banonin në atë pallat 5-katesh në lagjen "11 janar".
Gjithashtu, mësohet se prokuroria e Gjirokastrës ka bërë edhe sekuestrimin paraprakisht edhe të pasurisë së pronarit të firmës "Arti"sh.p.k. Ndërsa, për mungesë provash, prokuroria ka pushuar hetimin dhe ngritjen e veprës penale ndaj personave të hetuar deri më tani, shtetasve Luan Bufi inxhinier konstruktor, Njazi Çobani arkitekt, Thanas Llahana, inxhinier gjeolog dhe shtetasin Aristotel Haxhi, aksioner i firmës "Arti"sh.p.k.
TË PANDEHURIT, AKUZAT DHE ISH-DETYRAT
Sotiraq Janora, president i firmës "Arti sh.p.k", në "arrest me burg", akuzohet për "Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese" pika ë dhe "Shkatërrim të pronës me dashje"
Gjergji Meçe, inxhinier zbatues i firmës "Arti sh.p.k", në "arrest me burg", akuzohet për "Shpërdorim detyre" në bashkëpunim
Alfred Mamani, ish-shef i Urbanistikes, në "arrest me burg", akuzohet për "Shpërdorim detyre", në bashkëpunim
Admir Shehaj, ish-përgjegjës në Inspektoratin e Ndërtimit, në "arrest me burg", akuzohet për "Shpërdorim detyre" në bashkëpunim
Aferdita Papamihali, ish-sekretare e KRRT-së, në "arrest shtëpie", akuzohet për "Shpërdorim detyre" në bashkëpunim
Petrit Maksuti ish-inspektor i ndërtimit, në "gjendje të lirë", akuzohet për "Shpërdorim detyre" në bashkëpunim
Leonard Mustafaraj, ish-inspektor i ndërtimit, në "gjendje të lirë", akuzohet për "Shpërdorim detyre" në bashkëpunim
VEPRAT PENALE
Neni 79\ë
"Vrasja në rrethana të tjera cilësuese"
Vrasja me dashje e kryer:
ë) në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm.
Neni 150
"Shkatërrimi i pronës"
Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës, kur pasojat materiale nuk janë të lehta, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet
Neni 248
"Shpërdorimi i detyrës"
Kryerja ose mos kryeja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jo materiale të padrejta, a kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale dënohet me burim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga 300.000 - 1.000.000 lekë.