Shkon të vjedhë bakër, gjendet pas tri ditësh i vdekur nga korrenti
Hyn në kabinën elektrike për të vjedhur bakër, gjen vdekjen një 23-vjeçar nga Rrethi i Lushnjës. I riu ka ndërruar jetë sapo ka rënë në kontakt me rrymën e tensionit të lartë. Ngjarja e rëndë dyshohet të ketë ndodhur tri ditë më parë, por trupi i pajetë i tij është gjetur mbrëmjen vonë të së premtes. Dyshohet se Fatos Bajrami ka hyrë të mërkurën e kaluar në një kabinë elektrike për të marr kabull, që ta shiste më pas për skrap. Viktima, lindur dhe banues në fshatin Stan të Rrethit Lushnjë, është gjetur i vdekur në një kabinë elektrike që ndodhet në rrugën e spitalit të qytetit, vetëm 100 metra larg hyrjes te ky i fundit. Kanë qenë banorët e zonës pranë spitalit ata që kanë ndjerë fillimisht erën e keqe që vinte nga kabina elektrike, e cila është e linjës 20 kilovolt. Ka qenë një çift pleqsh, së bashku me të renë e tyre, që teksa hynin për në banesën që kishin pranë kabinës. Ata kanë nisur kontrollin e territorit pranë. Në ndihmë të tyre kanë ardhur edhe dy fqinjë të tjerë. Mësohet se të gjithë kanë shkuar në drejtim të kabinës, ku prej pak metrash larg kanë dalluar gjymtyrët e të riut që ishte shtrirë në hyrje të saj. Të shokuar nga skena me të cilën u përballën, ata kanë njoftuar policinë e Lushnjës, e cila ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet. Sipas burimeve zyrtare të policisë lokale mësohet se Fatos Bajrami është gjetur i vdekur mbrëmjen e së premtes, rreth orës 23:30. Policia dyshon se vdekja e tij ka ndodhur ndoshta tri ditë më parë. Kabina nuk ndodhet në drejtim të ndonjë rruge të rrahur prej kalimtarëve. Në pozicionin e fshehur ajo është synuar nga Bajrami, i cili vetëm me një palë pinca dhe një palë dorashka ka hyrë në të për të marrë kabull. Sipas grupit të hetimit, ai ka mundur të presë një pjesë të kabullit, dhe në atë moment dyshohet se është goditur nga tensioni i lartë. Vdekja ka qenë e menjëhershme. Ndërkohë mësohet se 23-vjeçari Bajrami ka qenë i dënuar edhe më parë për vjedhje dhe grabitje.
#