E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia në aksione për bllokimin e kazinove të jashtëligjshme

11/06/2009  Antikrimi Ekonomik për herë të parë vë dorë mbi bosët e “paprekshëm”

TIRANË- Krerët e Antikrimit Ekonomik në policinë e Tiranës sfidojnë bosët e kazinove, të lidhur me struktura të veçanta e të fuqishme, duke organizuar operacione spektakolare për pengimin e aktiviteteve të paligjshme. Kështu ditën e djeshme u zhvillua një aksion me pjesëmarrje të gjerë dhe shtrirje në të gjithë kryeqytetin, në përpjekje për të frenuar kazinotë dhe pikat e tjera të lojërave të fatit që abuzojnë duke korrur fitime pa derdhur detyrimet ndaj shtetit, ku proceduan 6 shtetas dhe u bllokuan 21 makineri lojërash fati. Ndonëse për segmente të caktuara, të lidhura drejtpërdrejt apo tërthorazi me këtë masakër financiare në sy të të gjithëve, këto aksione duken si të pasuksesshme, vlen të përmendet fakti që mbi këto kazino gllabëruese për herë të parë po vihet dorë me një kurajë që duhet vlerësuar, pasi bosët e tyre “nxjerrin dhëmbët”, duke u përmendur oficerëve të policisë emra politikanësh që “u mbajnë ngrohtë vezët” apo “fryhen” me kapadaillëk se ata nuk i prek askush. Kështu dje në mesditë, specialistët e seksionit Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar në bashkëpunim me Seksionin e Pastrimit Parave, Seksionin Kundër Korrupsionit pranë policisë së Tiranës dhe Policinë Tatimore, u zhvillua një operacion policor i koduar “Tirana Ruletë”, ku u arritën të identifikohen, të parandalohen, aktivitetet e jashtëligjshme të lojërave të fatit. Për këtë qëllim është ushtruar një kontroll i imtësishëm në pika të ndryshme të lojërave të fatit në Kryeqytet. Nga këto struktura, u kryen një sërë veprimesh procedurale, për veprat penale të “Organizimit të palejuar të lojërave të fatit” dhe të “Vënies në dispozicion të lokaleve për lojëra të palejuara”, parashikuar nga nenet 197 dhe 198 të Kodit Penal, ndaj 6 shtetasve pronarë të pikave të ndryshme “Loto sport”, të cilët do të ndiqen në gjendje të lirë. Këtyre subjekte, ju është ushtruar kontroll në drejtim të dokumentacionit dhe pajisjeve të lojërave të fatit që dispononin në ambientet e tyre, nga ku rezultoi se nuk dispononin dokumentacion tatimor në lidhje me këtë lloj aktiviteti, ku dhe pajisjet e lojërave të fatit nuk ishin të deklaruara. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 5 kompjuterë lojërash fati për loto sporti, një printer, 3 pajisje kompjuterësh dhe 21 makineri lojërash fati kompjuterike.

Aksione të përsëritura

Më 14 janar të vitit të kaluar u zhvillua operacioni “Gambling”, ku u bllokuan 11 pika në të cilat zhvillohej aktiviteti i lojërave të fatit, të palicencuara. Aksionet janë zhvilluar në afërsi të stadiumit “Qemal Stafa”, ku u bllokuan dy pika në Qytetin Studenti, ku ekspertët e Antikrimit Ekonomik gjetën një qendër të tilla lojërash fati. Ndërkaq, ky operacion vazhdoi tek Zogu i Zi, në të cilin u gjet një pikë në Kamzë, ku u policia bllokoi një pikë tjetër në Laprakë u kapën dy pika dhe së fundmi në Vorë, në të cilën u gjetën 3 lojëra të tilla fati. Të gjitha këto aktivitete zhvilloheshin në hundën e punonjësve të Tatim-Taksave, të cilët mesa duket u kishte shpëtuar fakti se lojërat nuk ishin të licencuara, ndërsa nuk u kishte hyrë gjemb në këmbë nga seksioni i Antikorrupsionit që ka për detyrë të gjejë këto raste flagrante korruptive.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›