E Shtunë, 31 Tetor 2026

Popullsia e botës do të arrijë shifrën 7 miliardë

Një raport i ri tregon se brenda më pak se dy vjetësh popullata e botës do të arrijë në shtatë miliardë, një shifër që paraqet sfida të reja për ushqim, kujdes shëndetësor dhe arsimim. Raporti tregon gjithshtu se përqindjet më të larta të shtimit të popullsisë janë në vendet në zhvillim, veçanërisht në segmentet më të varfra të popullatës.
Në më pak se 2 vjet, popullata botërore do të arrijë në 7 miliardë vetë, sipas Zyrës për Referencat e Popullatës, një organizatë jofitimprurëse në Uashington. "Për momentin, bota po shtohet me 1 miliardë banorë çdo 12 vjet. Por popullata e kapi 1 miliardin e parë vetëm në vitet 1800, megjithëse njerëzimi kishte ekzistuar prej mijëra vjetësh", shpjegojnë nga kjo organizatë.
Në Afrikën nënsahariane, ritmet e lindjeve por edhe të vdekjeve janë ulur. Fushata kundër sidës dhe malaries po jep rezultat. Gjatë 40 vjetëve të ardhshëm pritet që popullata e Afrikës të shtohet me 1 miliardë persona. Gratë në Niger, sipas statistikave aktuale, kanë mesatarisht 7.4 fëmijë. Aktualisht, 80 përqind e fëmijëve dhe grave në botë janë në Afrikë e Azi. Ky segment kryesisht joproduktiv i popullatës ka nevojë për arsimim, klinika shëndetësore dhe mundësi punësimi.
Nga ana tjetër, vendet e zhvilluara kanë ritme më të ulëta lindjesh. Europa dhe Azia lindore kanë ritmet më të ulëta. Tajvani ka ritmet më të ulëta të lindjeve në botë me mesatarisht një fëmijë për çdo grua. Arsimi i lartë dhe përqendrimi i popullatës në qytete janë faktorë që ndikojnë në numrin e lindjeve. Kina dhe India kanë secila mbi një miliardë banorë. Por së shpjeti pritet që India të jetë në vend të parë për popullsinë. Demografët pohojnë se shtimi i popullsisë, veçanërisht në Afrikë, do të nxisë zhvendosjen në zonat urbane. Si rezultat, qytetet do të bëhen më të mëdha, më të vështira për t'u administruar dhe me lagje të varfra masive.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›