Porto, kampion i Portugalisë

Porto siguroi titullin në kampionatin portugez me fitore 2-1 në “Classico” ndaj rivalit Benfica Lisbon, duke mbrojtur serinë e tyre pa humbje këtë sezon. E udhëhequr nga ish asistenti i Jose Mourinhos, Andre Villas Boas, fitorja e dërgoi Porton në 16 pikë epërsi ndaj Benficas me pesë ndeshje deri në përfundim të kampionatit.
Fredy Guarin e kaloi Porton në epërsi pas nëntë minutave, para se Javier Saviola të barazojë nga penalltia në minutën e 19-të. Por, penalltia e Hulk pak më pas siguroi titullin e 25-të për Porton.
Të dyja skuadrat e përfunduan ndeshjen me 10 futbollistë. Mbrojtësi Otamendi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, ndërsa sulmuesi i Benficas, Oscar Cardozo mori drejtpërdrejt të kuqin, pas ndërhyrjes së ashpër ndaj Fernando Belluschit.
Porto, që takohet me Spartak Moskën në Europa League të enjten, ka lëshuar vetëm katër pikë në ligë gjatë këtij edicioni të jashtëzakonshëm për 33 vjeçarin Villas Boas, i cili është duke kaluar sezonin e tij të parë në drejtim të ekipit.
“Ne treguam se kush luan futbollin më të mirë. Kjo ishte injoruar vazhdimisht në baza ditore nga të gjithë, andaj revolta jonë na ndihmoi, me meritë të futbollistëve, ne fituam titullin”, tha Villas Boas.
Ndërsa sulmuesi Hulk shtoi: “Gjëja më e rëndësishme ishte të vijmë këtu, të luajmë mirë, të fitojmë dhe të sigurojmë titullin. Tani synojmë të përfundojmë sezonin pa humbje, ndërsa jemi duke luftuar në Kupën e Portugalisë dhe Europa League”.
Porto shkoi 36 ndeshje pa humbje para një disfate në Kupën e Portugalisë nga Nacional në janar dhe do të bëhet vetëm ekipi i dytë në histori të ligës që kompleton sezonin pa humbje, nëse i shmanget disfatës në ndeshjet e mbetura. Benfica ishte e pamposhtur në ligë gjatë sezonit 1972-1973.
Festa në terr
Titulli i 25-të në kampionatin portugez, i siguruar në fushën e rivalit kryesor Benfica, solli një ngjarje të pazakontë për Porton. Ata u desh të festonin në terr.
Futbollistët e skuadrës së trajnerit Villas Boas vërshuan fushën për të festuar pas sinjalizimit të gjyqtarit për përfundimin e ndeshjes, por prania e madhe e tifozëve nikoqirë dhe largimi i tyre i menjëhershëm bëri që dritat e stadiumit të ndalen dhe në fushë të lëshohen pompat për ujitjen e barit.
Megjithatë, as dushi i ftohtë nuk i prishi festën kampionit të ri, pasi lojtarët vazhduan të kremtojnë në terr.