E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga në Vlorë anëtarit të “Ndrangetës”

05/08/2011   Xhuzepe Simunelli, me nofkën “Paco”, prej 5 ditësh mbahej i survejuar nga policia në hotelin ku qëndronte

Shoqërohen 2 italianë dhe 2 grekë, Simunelli pjesë e grupit, do të trafikonin 1500 kg kokainë kolumbiane

ELTON QYNO

TIRANE- Kalabrezi 32-vjeçar Xhuzepe Simunelli, i konsideruar si një nga drejtuesit e organizatës mafioze “Ndrangeta”, është arrestuar në Vlorë teksa ishte duke pushuar në një nga hotelet e këtij qyteti. Prej pesë ditësh ai mbahej në mbikëqyrje nga autoritet e policisë së Vlorës, ku qëndronte në një hotel së bashku me dy italianë të tjerë dhe dy shtetas grekë. Mësohet se 32-vjeçari, i njohur me nofkën “Paco”, kishte ardhur në Shqipëri për pushime, por një urdhërarresti i firmosur nga prokurori italian Roberto Alfonso ka bërë që policia e Vlorës ta prangosë atë teksa ishte duke pushuar në qytetin bregdetar së bashku me miqtë e tij italianë dhe grekë. Në çastin e ndalimit në plazhin “Jonufri” anëtari i organizatës mafioze “Ndrangeta” nuk ka bërë asnjë rezistencë. Së bashku me të në policinë e Vlorës janë shoqëruar dhe katër personat e tjerë që e shoqëronin, të cilët pas marrjes në pyetje janë lënë të lirë, për shkak se nuk kishin lidhje me veprimtarinë kriminale të 32-vjeçarit. I pyetur rreth këtij arrestimi drejtori i policisë së Vlorës, Ylli Metko, ka pohuar për gazetën e “Metropol” se ndalimi i italianit Simunelli është bërë si rezultat i një operacioni të gjerë që prokuroria italiane ka ndërmarrë ndaj organizatës mafioze “Ndrangeta”. Pritet që shumë shpejt Simunelli, që është pjesë e klanit “Mancuso”, të dalë para gjykatës së Vlorës, ku do të njihet me masën e sigurisë “arrest në burg”. Mësohet se autoritet italiane janë duke përpiluar një letërporosi, të cilën do t’ia dërgojnë Ministrisë së Drejtësisë shqiptare, ku do kërkojnë ekstradimin drejt Italisë të 32-vjeçarit të arrestuar në Vlorë.

17 urdhërarrestet

Prokuroria e Bolonjës ka nxjerrë 19 urdhërarrestet, të cilat janë ekzekutuar në disa shtete, mes të cilëve dhe në Shqipëri, ku u arrestua Xhuzepe Simunelli. Mediet italiane shkruajnë se anëtarët e arrestuar i përkasin organizatës mafioze “Ndrangeta” dhe akuzohen si autorë të tentativës për trafikimin nga 1500 kilogramë kokainë nga Kolumbia. Lënda narkotike do të transportohej me avion, i cili do të merrej me qira dhe karburanti do të paguhej nga anëtarët e grupit. Avioni do të ngrihej nga Kolumbia, Ekuadori, më pas do të ulej në Spanjë, Zvicër dhe më tej kishte si destinacion Italinë. Vetëm për avionët banda kishte premtuar 100 mijë dollarë. Nga trafikimi i kësaj ngarkese organizata mafioze “Ndrangeta” kishte planifikuar të mbulonte me shpërndarje qytetet më të mëdha të Italisë dhe gjithë Slloveninë. Sipas informacioneve të prokurorisë italiane, banda kishte tërhequr nga një bankë në Slloveni një shumë prej 2,5 milionë euro, e cila do t’u paguhej kolumbianëve. Por duke qenë se negociatat mes tyre kanë dështuar për shkak të komplikacioneve që u shfaqën, duke filluar nga mbështetja logjistike deri te vendet ku do të fshihej droga. Pavarësisht se dërgesa nuk mundi të trafikohet në Itali, prokuroria urdhëroi arrestimin e 19 personave me akuzën e trafikut të narkotikëve mbetur në tentativë dhe organizatës mafioze. Hetimi për këtë çështje është ndjekur dhe nga agjentët e DEA-së në Amerikë.

Plazhi “Jonufri”

Teksa ishte duke pushuar në plazh së bashku me miqtë e tij, italiani i organizatës mafioze “Ndrangeta” është prangosur nga policia e Vlorës. Simunelli është njohur me mandatin e arrestit dhe gjatë ndalimit nuk ka bërë asnjë rezistencë ndaj bluve të Vlorës.

1500 kg kokainë

Kjo është sasia që 17 persona kishin planifikuar të trafikonin nga Kolumbia në drejtim të Italisë. Lënda narkotike do të shpërndahej në qytetet më të mëdha të Italisë dhe në të gjithë zonat e tregtimit të Kokainës në Slloveni. I gjithë plani mbeti në letër për autorët.

2,5 milionë euro

Për blerjen e kokainës organizata mafioze “Ndrangeta” tërhoqi nga një bankë në Slloveni shumën prej 2,5 milionë euro. Kjo shumë do t’u dorëzohej kolumbianëve kur të dorëzonin mallin që kishin porositur mafiozët italianë.

1. Giuseppe Simunelli, 32 vjeç “Paco”

2. Ventrici Francis, 39 vjeç

3. Antonio Grillo, 33 vjeç “bizon”

4. Angelo Mercuri, 43 vjeç

5. Michael Kramer, 46 vjeç

6. Chavarro Antonio Pastor, 48 vjeç

7. Giuseppe Corsini, 61 vjeç "Xhaxha"

8. Paolo Boselli, 39 vjeç

9. Nicholas Cataldo, 36 vjeç

10. Marco Di Maurizio, 30 vjeç

11. Zippilli Claudio, 47 vjeç

12. Petullà Joseph, 47 vjeç

13. Itali Iannello, 20 vjeç

14. Ferdinand Zappia, 32 vjeç

15. Raul Isaza Cano, 44 vjeç “Negrito”

16. Oskar Alvarez Murillo, 69 vjeç“gjyshi”

17. Mari Vicente, 44 vjeç

18. Joseph Grillo, 30 vjeç

19. Antoni Grillo, 25 vjeç

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›