Pranvera Arabe, përmbysja e diktatorëve, kriza e borxheve....

Një fitore të madhe në vitin 2011 e shënoi edhe SHBA-ja, e cila në muajin maj kumtoi se forcat e saj speciale kanë vrarë pas 10 viteve në arrati themeluesin dhe kryesuesin e Al Qaedes, Osama Bin Ladenin, gjatë një aksioni të ndërmarrë në qytetin Abotabad, në Pakistan. Një tjetër e arritur e SHBA-së këtë vit ishte edhe përfundimi zyrtar i luftës në Irak, me ushtarët e fundit amerikan, të cilët pas tetë viteve luftë, kompletuan tërheqjen nga ky vend.
Evropa edhe këtë vit u përball me krizën e borxheve në eurozonë, me ç’rast u detyrua të miratojë disa pako të ndihmave, për të ndihmuar shtetet në telashe, para se gjithash Greqinë, të zhytur në krizë të thellë ekonomike.
Janar
1 janar-Estonia edhe zyrtarisht adoptoi valutën euro, duke u bërë shteti i 17 anëtar i eurozonës.
9-15 janar-Sudani i Jugut zhvillon referendumin për pavarësi. Votuesit në Sudan votuan me shumicë absolute në favor të pavarësisë, duke hapur rrugën për krijimin e shtetit të ri në korrik.
14 janar-Bie qeveria e Tunizisë, pas një muaji të protestave gjithnjë e më të dhunshme. Presidenti Zine El Abidine Ben Ali arratiset në Arabinë Saudite, pas 23 viteve në pushtet.
24 janar-37 persona vriten dhe 180 të tjerë plagosën, pas një shpërthimi në Aeroportin Ndërkombëtarë Domodedovo në Moskë, Rusi.
Shkurt
11 shkurt-Presidenti i Egjiptit, Hosni Mubarak, jep dorëheqje pas protestave kundër tij, duke e lënë Egjiptin në kontrollin e ushtarakëve, deri në momentin e zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme.
Mars
11 mars-Një tërmet me fuqi prej 9.1 shkallë të Rihterit dhe cunami pasues goditën pjesët lindore të Japonisë, duke shkaktuar vdekjen e 15.840 personave dhe duke lënë 3900 të tjerë të zhdukur. Alarmi për cunami u aktivizua në 50 shtete dhe territore. Situatë e jashtëzakonshme u shpall në katër reaktorë bërthamorë, të goditur nga tërmeti.
15 mars- Hamad bin Isa Al Khalifa, mbreti i Bahrejinit, shpalli tre muaj të gjendjes së jashtëzakonshme, pasi që forcat nga Këshilli për Bashkëpunim në Gji u dërguan për të shtypur trazirat.
17 mars-Lufta qytetare në Libi, Këshilli i Sigurimit i OKB-së voton për vendosjen e një zone të ndalim fluturimit mbi Libi, duke reaguar ndaj akuzave për agresion të qeverisë kundër civilëve.
19 mars-Si reagim ndaj vazhdimit të sulmeve kundër kryengritësve libianë, nga ana e forcave të Muammar Gaddafit, intervenimi ushtarak, i autorizuar me një rezolutë të Këshillit të Sigurimit, fillon me fluturimet vëzhguese të aeroplanëve francezë mbi Libi.
Prill
11 prill-Ish-presidenti i Bregut të Fildishtë, Laurent Gbagbo, arrestohet në shtëpinë e tij në Abidjan nga ithtarët e presidentit të zgjedhur, Alassane Ouattara, me ndihmën e forcave franceze, duke i dhënë kështu fund krizës dhe luftës qytetare në Bregun e Fildishtë.
Maj
1 maj-Presidenti i SHBA-së, Barack Obama kumton lajmin se Osama Bin Laden, themeluesi dhe kryesuesi i grupit terrorist, Al Qaeda, është vrarë gjatë një aksioni të forcave speciale amerikane në Pakistan.
16 maj-BE-ja arrin pajtimin për një pako në vlerë prej 78 miliardë euro për shpëtimin e Portugalisë.
26 maj-Ish-komandanti i serbëve të Bosnjës, Ratko Mladic, i kërkuar nën akuzat për gjenocid, krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, u arrestua në Serbi.
Qershor
5 qershor-Presidenti i Jemenit, Ali Abdullah Saleh udhëton për në Arabinë Saudite, për t’u shëruar nga lëndimet, të cilat i mori gjatë një sulmi kundër pallatit presidencial. Protestuesit kremtojnë transferimin e pushtetit nga Salehu te nënkryetari Mansur Al Hadi.
12 qershor-Me mijëra sirianë arratisen në Turqi, pasi që forcat siriane rrethuan qytetin Jisr Ash Shugur.
Korrik
9 korrik-Sudani i Jugut shkëputet nga Sudani, duke u bë kështu shteti më i ri në botë, si rezultat i referendumit për pavarësi, i cili u zhvillua në janar.
20 korrik-Goran Hadzici arrestohet në Serbi, duke u bërë kështu i akuzuari i fundit i arrestuar nga 161 personat e akuzuar për krime të luftës nga Tribunali Ndërkombëtarë për krime të luftës në ish-Jugosllavi.
22 korrik-76 persona vriten si pasojë e sulmit të dyfishtë terrorist në Norvegji, pas shpërthimit në qendër të Oslos dhe sulmit me armë zjarri në një kamp të rinisë në ishullin Otoja, sulme këto të ndërmarra nga Anders Breivik.
Gusht
20-28 gusht-Në betejën për Tripolin, kryengritësit libianë morën përsipër kontrollin mbi kryeqytetin e Libisë, duke e përmbysur kështu qeverinë e Muammar Gaddafit.
Shtator
5 shtator-India dhe Bangladeshi nënshkruan marrëveshjen për t’i dhënë fund grindjes 40 vjeçare për demarkacionin e kufirit.
12 shtator-Mbi 100 kenianë humbën jetën, pas shpërthimit të një naftësjellësi në Najrobi.
Tetor
4 tetor-Mbi 100 persona humbën jetën si pasojë e shpërthimit të një autobombe, në kryeqytetin e Somalisë, Mogadisho.
18 tetor-Izraeli dhe organizata militante palestineze, Hamas, filluan shkëmbimin e madh të të burgosurve, në kuadër të së cilit ushtari i rrëmbyer izraelit, Gilad Shalit, u lirua në shkëmbim të mbi 1 mijë të burgosurve palestinezë dhe arab, të mbajtur në Izrael.
20 tetor- Udhëheqësi i Libisë, Muammar Gaddafi vritet në Sirte, me forcat e Këshillit Kombëtar Tranzitor të cilat pushtuan qytetin, duke i dhënë kështu fund luftës në Libi.
20 tetor-Organizata militante baske, ETA, i dha fund fushatës së vet 43 vjeçare të dhunës politike, gjatë së cilës që nga viti 1962 janë vrarë mbi 800 persona në Spanjë.
23 tetor: Një tërmet me fuqi prej 7.2 shkallë të Rihterit goditi pjesët lindore të Turqisë, në afërsi të qytetit Van, duke shkaktuar vdekjen e mbi 600 personave dhe duke dëmtuar mbi 2200 ndërtesa.
27 tetor: Pas takimit të jashtëzakonshëm në Bruksel, BE-ja kumtoi arritjen e marrëveshjes për të luftuar krizën e borxheve.
27 tetor: UNESCO pranoi Palestinën si anëtare në radhët e veta, me ç’rast 107 shtete anëtare votuan në favor të pranimit, ndërsa 14 votuan kundër.
Nëntor
5 nëntor-Grupi islamit Boka Haram merr përsipër përgjegjësinë për sulmet në qytetin Damaturu në Nigeri, si pasojë e të cilave humbën jetën 63 persona.
10 nëntor-Lucas Papadhimos emërohet kryeministër i ri i Greqisë, duke zëvendësuar në këtëe funksion Jorge Papandreun. Papadhimos premtoi se do të implementojë pakon evropiane për ndihma, për të zgjidhur krizën e borxheve në Greqi.
12 nëntor-Liga Arabe suspendon Sirinë nga radhët e saj, për shkak të dhunës së vazhdueshme të forcave siriane kundër popullatës civile.
26 nentor-Së paku 26 ushtarë pakistanezë vriten, pas një sulmi të ndërmarrë nga helikopterët e NATO-s në brezin kufitar mes Pakistanit dhe Afganistanit.
Dhjetor
1 dhjetor-Pasi mbi 500 ditë pa qeveri, Belgjika u bë me një qeveri të re, të kryesuar nga socialisti Elio Di Rupo.
4 dhjetor-Partia Rusia e Bashkuar, e kryesuar nga kryeministri rus, Vladimir Putin, fiton zgjedhjet në Rusi, por duke humbur me këtë rast shumicën absolute. Rezultati i zgjedhjeve nxitë protesta në Rusi, me demonstruesit që akuzuan autoritetet për manipulim të zgjedhjeve.
9 dhjetor-Kroacia nënshkruan marrëveshjen për anëtarësim në BE, në vitin 2013. Kryeministri i Britanisë, David Cameron, refuzon që vendi i tij ti bashkohet marrëveshjes për union fiskal të BE-së.
14 dhjetor-“Demonstruesi” shpallet Personalitet i vitit nga ana e revistës Time.
15 dhjetor-SHBA-ja edhe formalisht shpallë përfundimin e luftës në Irak.
18 dhjetor-Vdes në moshën 75 vjeçare ish-disidenti dhe ish-presidenti i parë demokratik i Çekosllovakisë pas përmbysjes së komunizmit, Vaclav Havel.
19 dhjetor-Mediet në Korenë e Veriut kumtojnë lajmin për vdekjen e diktatorit Kim Jong Il, i cili vdiq si pasojë e një sulmi në zemër.