E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pr/buxheti 2012, Bode në Kom. e Ekonomisë: Kemi parasysh dhe krizën në Eurozonë

TIRANE-Ministri i Financave Ridvan Bode ka prezantuar sot në Komisioni e Ekonomisë draftin për pr/buxhetin 2012. Bode deklaroi se hartimi i draftit u bë duke marrë në konsideratë zhvillimet aktuale në vend dhe në Europë.
“Buxheti ka marrë në konsideratë zhvillimet aktualen dhe potencialet e ekonomisë. Është marrë parasysh dhe kriza në Eurozonë dhe potencialet e ekonomisë sonë”.

Ministri gjatë prezantimit garantoi se vitin e ardhdhëm me këtë buxhet të hartuar parashikohet që papunësia të ulet me 13% ndërsa rritja ekonomike në masën 4%.

Bode tha gjithashtu se shpenzimet kapitale për vitin 2012 parashikohen në masën 69.7 miliardë lekë, ose 5% të PBB.

Sa i përket investimeve, Bode u shpreh se vazhdojnë të përzgjidhen ato projekte të cilat janë vazhdim i projekteve të mëparshme, si edhe investimet që cilësohen strategjike për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, në përputhje edhe me programin e qeverisë.
Njëkohësisht, shpenzimet kapitale si me financim të brendshëm, ashtu edhe të huaj, do të vazhdojnë të përqëndrohen në sektorët prioritare të qeverisë si: infrastruktura, arsimi, shëndetësia, mbrojtja, bujqësia e zhvillimi rural.
Me konkretisht, Bode sqaroi se investimet me burime të brendshme parashikohet të jenë 1.97% të PBB. Ndërsa, investimet me burime të huaja parashikohen në nivelin e 3% të PBB, nga 2.5% e PBB që kanë qënë në buxhetin e rishikuar 2011. Bazuar në shpërndarjen e shpenzimeve publike midis ministrive, vlerësohet se në vitin 2012 niveli i shpenzimeve publike do të shënojë rritje për të gjithë sektorët prioritare.
Kështu, sektori i arsimit do të arrijë nivelin 3.2% të PBB, ndërkohë që shpenzimet në sektorin e shëndetësisë parashikohen të arrijnë në 2.6% të PBB. Gjithashtu, shpenzimet për sektorin e bujqësisë parashikohen të rriten në nivelin 0.5% të PBB, ndërkohë që 3.05 % e PBB parashikohet niveli i sektorit të infrastrukturës.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›