Presidenti Topi dekoroi sot aktorët e humorit Gjosho Vasija dhe Gëzim Kruja Presidenti i Republikës, Bamir Topi

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoroi sot aktorët e humorit shkodran Gjosho Vasija dhe Gëzim Kruja me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, në një ceremoni zyrtare të organizuar me këtë rast në ambientet e Presidencës, ku ishin të pranishëm personalitete të fushës së artit e të humorit, miq, koleg, si dhe familjarë të këtyre figurave të mirënjohura e të vlerësuara nga artdashësit shqiptarë. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekreteve të dekorimit nga Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit të Presidentit, Aleksandër Flloko, në shenjë vlerësimi e respekti të veçantë, Kryetari i Shtetit i dorëzoi Urdhrin “Mjeshtër i Madh” Gjosho Vasisë me motivacionin: “Talentit dhe krijuesit të rrallë të skenës së humorit, që, falë personalitetit dhe karakterit të fuqishëm, jo vetëm diti t’i rezistojë me fisnikëri përpjekjes së egër të diktaturës komuniste, por me humorin e tij u dha gëzim, dritë dhe shpresë njerëzve të thjeshtë dhe bashkëvuajtësve të tij në të gjithë vendin”. Me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, Presidenti i Republikës dekoroi sot dhe Gëzim Kruja me motivacionin: “Për interpretim me nivel të lartë artistik dhe krijimtari të gjerë në fushën e artit të humorit shqiptar”.